Çka nënkupton për Kosovën anëtarësimi në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian?
Kosova është pranuar në institucionin e parë të Bashkimit Evropian. Më 18 tetor 2025, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian ka vendosur ta përfshijë Kosovën në nismën e tij për shtetet kandidate për zgjerim. Ky është një hap i rëndësishëm për institucionet e Kosovës, si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët. Më 2024, ky Komitet…
Lajme
Kosova është pranuar në institucionin e parë të Bashkimit Evropian. Më 18 tetor 2025, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian ka vendosur ta përfshijë Kosovën në nismën e tij për shtetet kandidate për zgjerim.
Ky është një hap i rëndësishëm për institucionet e Kosovës, si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët.
Më 2024, ky Komitet pranoi si anëtarë Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën. Që të gjitha këto shtete, në aspektin formal janë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Komiteti është pjesë përbërëse e BE-së i themeluar më 1957 në bazë të Traktatit të Romës.
Përmes kësaj platforme ,Komiteti ka për qëllim të këshillojë vendimmarrësit e BE-së për t’u siguruar që organizatat dhe rrjetet e shoqërisë civile në mbarë kontinentin evropian të kenë zë dhe përfaqësim sa i përket zhvillimit të Evropës.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë mekanizëm është e rëndësishme po ashtu për rëndësinë që ka sektori i shoqërisë civile përmes pjesëmarrjes aktive në politikëbërje dhe konsultime publike.
Megjithatë, vitet 2021–2025 kanë lënë pas gjurmë të zhgënjimit për politikën sociale në Kosovë.
Shuarja e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe bashkimi i saj me Ministrinë e Financave, e zbehën peshën e çështjeve sociale në agjendën publike të Qeverisë. Ato u reduktuan në llogari buxhetore dhe transfere ad hoc dhe arbitrare, ndërsa mungoi vizioni i premtuar për qëndrueshmëri në mirëqenie dhe drejtësi sociale.
Në vend të dialogut social, pati përplasje. Në vend të mirëbesimit, tension.
Qeveria shpesh u përball me sindikatat me gjuhë përjashtuese, duke i parë kërkesat e tyre si kërcënim, e jo si të drejta.
Protestat u quajtën presion, ndërsa grevat, pengesë.
Kontratat kolektive sektoriale u shuan, dhe asnjëra nuk u rinovua. Sot, Kosova ende nuk ka një kontratë të përgjithshme kolektive, e as ligje të reja që mbrojnë punëtorët dhe familjet.
Politikat sociale janë dobësuar, dhe me to edhe zëri i punëtorëve, një zë që do të duhej ta mbante të gjallë drejtësinë sociale në vend.
Prandaj, përfshirja e Kosovës në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian merr kuptim edhe më të thellë, si nevojë për t’u rikthyer në dialog, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të forcuar rolin e partnerëve socialë.
Organizatat e shoqërisë civile që bëhen pjesë e Komitetit, veprojnë si ndërmjetës mes vendimmarrësve dhe publikut.
“Me këtë nismë shpresojmë të fuqizojmë projektet që nxisin dialogun civil dhe social, duke forcuar angazhimin dhe bashkëpunimin brenda komuniteteve kosovare”, thuhet në thirrjen e publikuar në ueb-faqen e Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian.
Me këtë hap, ky Komitet shpreson të forcojë dialogun civil dhe social brenda komuniteteve në Kosovë.
Ky Komitet përbëhet nga 329 anëtarë nga 27 shtetet e BE-së, të cilët përfaqësojnë punëdhënësit, punëtorët dhe organizatat e shoqërisë civile.
E sipas njoftimit nga ky Komitet, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë janë ftuar të aplikojnë për anëtarësim deri më 24 tetor në kuadër të nismës për zgjerim.
Për shoqërinë civile, kjo nënkupton mundësi të reja për të pasur zë në proceset evropiane dhe për të kontribuar në politikë‐bërje.
Për bizneset dhe ekonominë, ky hap mund të nxisë integrimin me rrjetet evropiane dhe burime të reja bashkëpunimi.
Pavarësisht mungesës së statusit zyrtar si kandidat për BE, është vendosur të hapet ‘faza e dytë’ e nismës edhe për Kosovën si kandidate potenciale /BetimipërDrejtësi