​Çka mendojnë qytetarët për tarifat e SHBA-së ndaj Kosovës?

Presidenti i SHBA-së Donald Trump, ka shpallur tarifa ndaj pothuajse dyqind vendeve botërore, në mesin e tyre edhe Kosovës dhe Shqipërisë. Këto dy të fundit do të kenë tarifa prej 10 për qind. Mirëpo si e shohin qytetarët e Kosovës vendimin e fundit të administratës Trump? Disa mendojnë se është ngarkesë e madhe për Kosovën,…

Lajme

04/04/2025 13:53

Presidenti i SHBA-së Donald Trump, ka shpallur tarifa ndaj pothuajse dyqind vendeve botërore, në mesin e tyre edhe Kosovës dhe Shqipërisë. Këto dy të fundit do të kenë tarifa prej 10 për qind.

Mirëpo si e shohin qytetarët e Kosovës vendimin e fundit të administratës Trump? Disa mendojnë se është ngarkesë e madhe për Kosovën, të tjerët e vlerësojnë si masë reciproke dhe shpresojnë që të arrihet një marrëveshje për heqjen e kësaj tarife ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës.

Sejdi Halimi qytetarë thotë se kjo tarifë është ngarkesë për Kosovën, dhe se kjo taksë është shumë e madhe për vendin tonë. Ai shpreson se qeveria do të gjejë ndonjë zgjidhje për këtë çështje.

“Dëm për Kosovën, është ngarkesë e Kosovës. Konsumatori e paguan atë në fund, d.m.th. 10 për qind taksë për Kosovën është shumë e madhe. Por ndoshta qeveria gjen ndonjë burim për të hequr atë, sepse është ngarkesë e madhe. Besoj që kur mblidhen të gjitha ato, doganë e krejt, tash edhe tarifa 10 për qind, edhe eksportuesit kanë dëme të mëdha d.m.th më së shumti kanë eksportuesit, ata duhet me paguar taksën kur të hynë malli në SHBA. Kështu që është dëm i madh për Kosovën, por ndoshta me mirëkuptim e gjejnë ndonjë lehtësirë diçka. Me u angazhuar, jo vetëm me fjalë por me vepra me punë. Besoj që ndoshta hiqet”, thekson ai.

Ndërsa, një tjetër qytetar Pashk Desku thotë se presidenti amerikan Donald Trump nuk ka vendosë tarifa vetëm për Kosovën. Ai shpreson në gjetjen e një zgjidhje për këtë çështje teksa thekson dallimet ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.

“Donald Trumpi nuk na ka vendosë tarifa vetëm neve, por krejt Evropës, nuk e di ku e ka qëllimin. Ai po thotë jam vetëm për shtetin tim për vete. Ne e kemi reciprocitetin duhet me përmbajt por na u kanë ngatërrua pak Albini (Kurti) me presidenten, ajo po thotë me heq, ky (Kurti) ende nuk ka thanë po, nuk e kam dëgjua, nuk e di”, tha ai.

E Nazmi Sahitaj e vlerëson këtë masë si tarifë reciproke. Ai thotë se taksa e Kosovës ndaj produkteve amerikane ka qenë 10 për qind, dhe se sipas tij nuk do të duhej me qenë as e Kosovës e as e Amerikës. Tutje ai thotë Kosova taksën duhet ta heq brenda 24 orëve për Amerikën, pasi që sipas tij, nuk ka ndonjë peshë të madhe, ndërsa sipas tij, rëndësia e marrëdhënieve me ShBA-në është shumë e madhe.

“Është taksë reciproke ajo. Taksa e Kosovës ndaj produkteve amerikane ka qenë 10 për qind, është një farë balanci, nuk do të duhej me qenë as e Kosovës as e Amerikës besoj me heqjen e taksës ndaj Amerikës besoj edhe Amerika do ta korrigjonte taksën.. Brenda 24 orëve duhet me heq atë taksë edhe ashtu nuk ka ndonjë peshë aq të madhe, simbolike, për të hyrat e buxhetit të Kosovës, ndërsa për çështjet e marrëdhënieve tona dy paleshë është shumë me rëndësi, është hap simbolik por shumë i rëndësishëm”, potencoi Sahitaj.

Presidentja Vjosa Osmani dje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga SHBA-ja, pasi kjo e fundit vendosi tarifën 10 për qind.

Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka mbështetur thirrjet drejtuar qeverisë për heqjen e tarifave doganore ndaj produkteve amerikane.

DhTIK ka kohë që ka ngritur shqetësime lidhur me këtë çështje, të cilat u shfaqën si rezultat i vendimit të administratës Trump.

Në një komunikatë për media, DhTIK u ka bërë thirrje institucioneve të nisin negociata që do të shmangnin pasojat negative për Kosovën.

Gjatë vitit 2024, sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vendi ka shënuar eksporte me SHBA-në mbi 39 milionë e 176 mijë e 701 euro, derisa në tre muajt e parë 2025 vlera e eksportit është 5 milionë e 759 mijë e 490 euro.