Çka është virusi HMPV që po përhapet në Kinë
Rritja e rasteve me virusin metapneumovirus (HMPV) në Kinë ka ngjallur frikë për përhapjen e këtij virusi edhe ne vende tjera. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi të hënën qytetarët e vendit me informacione thelbësore lidhur me këtë, me qëllim rritjen e masave të kujdesit parandalues. Instituti nuk tregoi nëse ka raste me…
Bota
Rritja e rasteve me virusin metapneumovirus (HMPV) në Kinë ka ngjallur frikë për përhapjen e këtij virusi edhe ne vende tjera.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi të hënën qytetarët e vendit me informacione thelbësore lidhur me këtë, me qëllim rritjen e masave të kujdesit parandalues. Instituti nuk tregoi nëse ka raste me HMPV në Kosovë.
Metapneumovirusi njerëzor (HMPV) është virus respirator i cili shkakton simtoma të ngjashme me gripin dhe ftohjen, por ai mund ta rrisë rrezikun apo të shkaktojë më shumë komplikime, si bronkiti apo pneumonia, posaçërisht tek të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.
Kjo sëmundje është e së njëjtës familje si virusi respirator sincicial (RSV) dhe është shfaqur që nga viti 2001, kur u identifikua për herë të parë në Holandë.
Ky virus përhapet gjatë sezoneve të ftohta.
Pse u bë lajm HMPV-ja?
Në Kinë është raportuar për rritjen e rasteve më virusin HMPV në javët e fundit.
Qendra kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve i ka paralajmëruar qytetarët e vet të kujdesen për higjienën dhe shëndetin.
Ajo gjithashtu ka hedhur poshtë pretendime online se spitalet janë mbushur me pacientë dhe se ka frikë për një pandemi të ngjashme si ajo e COVID-19.
Kush rrezikohet nga HMPV-ja?
Simptomat e HMPV-së janë të ngjashme me ato të gripit apo ftohjes.
Rastet e rënda mund të rezultojnë me bronkit ose pneumoni veçanërisht tek foshnjat, të moshuarit dhe njerëzit me imunitet të dobësuar.
Njerëzit me kushte paraprake të mushkërive, si astma, sëmundja pulmonare obstruktive kronike (COPD) ose emfizema janë në rrezik më të shtuar për pasoja më të rënda.
Si përhapet?
HMPV-ja ka shumë mundësi të përhapet nga personi i infektuar tek të tjerët përmes kollitjes dhe teshtitjes; kontaktit të ngushtë personal, si puthja, prekja ose shtrëngimi i duarve, prekja e objekteve ose sipërfaqeve që kanë virusin mbi to dhe më pas prekja e gojës, hundës ose syve.
Si të parandalohet përhapja e HMPV-ja?
Për të parandaluar përhapjen dhe për t’i ulur rreziqet e shkaktuara nga patogjenët respiratorë, duhet të ndiqen masa të thjeshta.
Këto masa përfshijnë qëndrimin në shtëpi kur jeni të sëmurë, ndjekjen e këshillave mjekësore për kujdesin, mbajtjen e maskave në hapësira të mbushura me njerëz ose të ajrosura dobët, mbulimin e kollës dhe teshtitjes me pecetë ose bërryl të përthyer.
Gjithashtu larja e rregullt e duarve, shmangia e prekjes së syve, hundës ose gojës me duar të palara ndihmojnë në parandalimin e këtij virusi.
Aktualisht, nuk ka trajtim specifik ose vaksinë për HMPV dhe kujdesi mjekësor është kryesisht simptomatik dhe virusi zakonisht kalon vetë.