Çka duhet të bëjë shteti që të bie numri i vdekjeve në komunikacion?

Vetëm gjatë 48 orëve të fundit, dy aksidente me fatalitet kanë ndodhur në Podujevë. Që nga paslufta kanë vdekur 2523 persona nga aksidentet në trafik dhe ky numër konsiderohet alarmant, ndërsa mesatarisht në vit numri i aksidenteve me fatalitet është 122.

Lajme

17/11/2019 16:32

“Nuk dihen shkaqet e sakta të aksidenteve në komunikacion. E as ku ndodhen vrima të zeza të rreziqeve në rrugë”.

Kështu mendon Nol Dedaj, eksperti i komunikacionit rrugor, i cili është njëri prej tre doktorëve të shkencës së komunikacionit rrugor, në Kosovë.

Dedaj ka treguar për lajmi.net masat që duhet t’i marrë qeveria e re për parandalimin e aksidenteve në rrugë.

“Qeveria e ardhshme urgjentisht duhet të hartojë Ligjin e Sigurisë së komunikacionit rrugor, ngase ky ligj mungon në Kosovë. Në këtë ligj do të shqyrtoheshin të gjitha elementet e sigurisë, prej faktorit njeri, faktorit automjet, faktorit rrugë, faktorit incident dhe faktorit të komunikacionit rrugor. Thjesht duhet të përcaktohet në detaje çdo element sa i përket këtyre faktorëve”, ka thënë profesori universitar Nol Dedaj.

Ai mendon se kjo gjë mund të bëhet nga qeveria brenda një viti dhe elementet kryesore të Ligjit duhet të jenë krijimi i Institutit dhe Agjencisë për Sigurinë Rrugore.

“Në kuadër të ligjit duhet të parashihet dhe krijimi i Institutit për Siguri Rrugore, krijimi i Agjencisë për Siguri Rrugore. Kjo duhet të bëhet përmes Parlamentit të Kosovës, dhe më pas të fillojë të zbatohet. Sigurisht se në kuadër të këtyre institucioneve të sigurisë duhet të jenë vetëm njerëz profesional dhe të përgjegjshëm që duhet të merren me hulumtime shkencore. Rezultatet e hulumtimit që do të dilnin nga Instituti duhet të shkojnë në Agjencinë dhe pastaj ky institucion duhet t’i ekzekutojë si masa preventive. Kjo është thelbësorja sa i përket zvogëlimit të numrit të aksidenteve. E gjithë kjo mendoj që merr kohë rreth një vit”, tha tutje Dedaj.

Ndërkohë, ai thotë se nuk mund të flitet saktë se cilët janë faktorët aksidenteve në komunikacion, pasi sipas tij, nuk ka një studim shkencor.

“Përgjithësisht po të themi se faktorët kryesorë janë faktori njeri, si lodhja, ndikimi i alkoolit, shpejtësia e madhe. Por, krejt këto gjëra duhet të vërtetohen dhe të analizohen mirë dhe pastaj të dilet me një konkluzion. Pastaj është faktori rrugor. E dimë se në çfarë gjendje i kemi rrugët. Asnjëherë nuk u është bërë asnjë studim, asnjëherë nuk u është bërë asnjë shqyrtim i cilësisë së rrugës përmes aparaturave përkatëse që duhet të përcaktohet koeficienti që më pastaj bëhet krahasimi me shpejtësinë e lejuar ligjore. Pra, pastaj shihet a i plotëson kriteret rruga që të jetë e kufizuar me 80 km, apo nuk i plotëson”.

“Të faktori automjet është shumë e thjeshtë. Duhet patjetër të hyn në zbatim kontrollimi i rreptë i kontrollit të automjetit, sidomos të sistemi i ndriçimit dhe sistemi i frenimit. Duhet patjetër që Ministria, pastaj ta ketë kontrolle teknike mobile që duhet të zbatohen edhe kontroll i jashtëzakonshëm. Dhe do të shihni se si do të funksionojë kontroll teknike, kur të nisë kontrollë e jashtëzakonshme. Pastaj duhet të intervenohet edhe në importin e automjeteve. Këto gjëra duhet të rregullohen nëpërmjet takimeve shumë serioze që duhet të zhvillohen”, shtoi Dedaj në një bisedë për lajmi.net.

Derisa mendon se shteti nuk e ka kryer punën e vet lidhur më këtë çështje, ai thotë se pa të drejtë e gjithë kjo barrë i është lënë Policisë së Kosovës.

“E kam thënë shpeshherë popullorçe, se policisë i kanë mbetur në dorë këmbët e arushës, sa i përket sigurisë rrugore që ata mundohen ta bëjnë. Së pari, ata as nuk janë inxhinier e as njerëz që hulumtojnë, por njerëz që shkojnë në vendin e ngjarjes dhe duhet ta ekzaminojnë atë vend. Unë mendoj se shumë prej tyre, jo të gjithë as atë punë nuk po mundin ta bëjnë në mënyrë profesionale. Ngase nuk po dinë t’i marrin si duhet gjurmët e frenimit dhe gjurmët e automjeteve të aksidentuara. Kjo do të rregullohej përmes atij Agjencioni që thashë më lartë”, përfundoi Dedaj. /M.B/Lajmi.net/