Çitaku takon ministrin francez Haddad: Kërkon intensifikim të mbështetjes së Francës për Kosovën
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka pritur sot në takim ministrin për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe në rajon. Sipas një komunikate të PDK-së, Çitaku e ka falënderuar ministrin francez për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, duke kërkuar që kjo përkrahje…
Lajme
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka pritur sot në takim ministrin për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe në rajon.
Sipas një komunikate të PDK-së, Çitaku e ka falënderuar ministrin francez për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, duke kërkuar që kjo përkrahje të intensifikohet, veçanërisht në proceset integruese të vendit.
“Franca ka qenë dhe mbetet një nga partnerët dhe aleatët kryesorë të Kosovës. Mbështetja e saj ka qenë qenësore për vendin tonë”, ka thënë Çitaku.
Ajo ka kërkuar që Franca të inkurajojë edhe shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian që t’i kushtojnë më shumë vëmendje Kosovës, në një kohë kur proceset integruese të vendit, sipas saj, kanë ngecur.
Gjatë takimit, Çitaku dhe Haddad janë pajtuar se e ardhmja e Kosovës dhe e rajonit është në Bashkimin Evropian.
Në këtë takim, Çitaku është shoqëruar nga deputetët e PDK-së, Përparim Gruda dhe Blerta Deliu-Kodra, si dhe nga shefi i kabinetit të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Ardian Arifaj. /Lajmi.net/