Çitaku reagon ndaj deklaratës së Haxhiut: E turpshme t’i thuhet Salës së re se është në koordinim me Listën Serbe
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të Nënkryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila aludoi se deputetët e PDK-së kanë votuar “në koordinim me Listën Serbe”. Çitaku kujtoi sakrificën e familjes Jashari, duke theksuar se Sala dhe Hamit Jashari kanë rënë në Betejën e Prekazit më 5, 6…
Lajme
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të Nënkryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila aludoi se deputetët e PDK-së kanë votuar “në koordinim me Listën Serbe”.
Çitaku kujtoi sakrificën e familjes Jashari, duke theksuar se Sala dhe Hamit Jashari kanë rënë në Betejën e Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars, ndërsa sot mbesa e tyre, Sala Jashari, ka fituar mandatin e deputetes me votat e shqiptarëve, raporton lajmi.net
Ajo e quajti të papranueshme që një zyrtare e lartë shtetërore t’i bëjë akuza të tilla deputetes së re.
“Jo vetëm Sala, por secili deputet i PDK-së ka më shumë atribut dhe kontribut për shtetin e Kosovës sesa kjo nënkryetare,” tha Çitaku, duke kritikuar fuqishëm Haxhiun.
Postimi i plotë i Çitakut:
Më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekaz, në betejën më emblematikе të kombit shqiptar, me pushkë në dorë ranë edhe Sala dhe Hamit Jashari. Dy heronjë të Kosovës.
Sot, mbesa e nënës Salë, Sala e re, Sala Jashari, Sala jonë e mirë, me votën e shqiptarëve patriotë, është zgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës.
Por, për fat të keq, sot, për nevojat e një narracioni të ulët politik, një nënkryetare e Kuvendit, deri dje Ministre e Drejtësisë, guxon t’i thotë edhe asaj se është “në koordinim me Listën Serbe”.
Jo vetëm Sala, por secila deputete dhe secili deputet i PDK-së ka më shumë atribut dhe kontribut për shtetin e Kosovës sesa kjo nënkryetare.
Diku kemi gabuar, në fakt, që një profil i tillë ka arritur të mbajë pozita të larta shtetërore, kjo është e dukshme.
Por uroj që sot të jetë fillimi i fundit të këtij mentaliteti.
E turpshme, për besë!/Lajmi.net/