Çitaku: Për më pak se 162 ditë u rrëzua Muri i Berlinit e u çlirua Kosova, por nuk po konstituohet Kuvendi – Kurti po synon delegjitimimin e institucioneve

Pasi që edhe seanca e 50-të e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa rezultat, në sallë kanë qëndruar deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka mbajtur fjalim në foltorën e Kuvendit e ku ka thënë se sot janë bërë 162 ditë nga përfundimi i procesit zgjedhor por që institucionet janë…

Lajme

21/07/2025 11:48

Pasi që edhe seanca e 50-të e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa rezultat, në sallë kanë qëndruar deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka mbajtur fjalim në foltorën e Kuvendit e ku ka thënë se sot janë bërë 162 ditë nga përfundimi i procesit zgjedhor por që institucionet janë jofunksionale.

“Për një 162 ditësh, Kurti ka synuar të shuaj zërin tonë dhe të na pamundësoj ushtrimin e detyrave që na ka besuar qytetari i Kosovës. 162 ditë nuk janë pak, në më pak se kaq ditë ka rënë Muri i Berlinit dhe është unifikuar Gjermania, në më pak se kaq ditë forcat aleate kanë marshuar nga Normandia në Paris, në më pak se kaq ditë forcat e NATO-s bashkë me UÇK-në kanë çliruar Kosovën e në më pak se 100 ditë, Kosova ka shpallur Pavarësinë, ka miratuar Kushtetutën dhe ka marrë njohje të rëndësishme ndërkombëtare”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka përmendur pensionistët, mësimdhënësit, mjekët, punëtorët e sektorit privat e ndërmarrësit të cilët tash e 100 ditë pa Kuvend iu është vështirësuar jeta.

“100 ditë janë shumë për pensionistin që çdo muaj zgjedh mes ushqimit dhe barnave, 100 ditë janë shumë për mësimdhënësin që ndjehet i përbuzur, për mjekët që iu mungojnë barnat esenciale, për punëtorët e sektorit privat që u rrezikohen vendet e punës, për ndërmarrësit që po iu mbyllen bizneset për shkak të çmimit të energjisë elektrike.  Për kë nuk janë shumë 162 ditë, për Albin Kurti sepse për të kjo kohë është pjesë e një plani për përmbyshjen e rendit kushtetues, për deligjitimimin e demokracisë dhe institucioneve dhe për zhbërjen e ADN-së së shoqërisë sonë.  Ai po synon krijimin e një rendi të ri ku nuk ka më norma, nuk ka ambicie kolektive, një rend ku qytetarët sundohen e nuk qeverisen. por jo Albin nuk do t’ia dalësh sepse kjo nuk është më krizë politike, kjo është krizë morale dhe ne duhet ta ndalim”, ka thënë Çitaku.

Ajo gjithashtu ka thënë se Kurti do të hyj në histori por me turp.

“Albin Kurti si politikani i fundit i gjeneratës së vjetër, do të hyj në histori sepse këtë e ka ëndërruar gjithmonë por do të hyj me turp ashtu siç ka qenë e gjithë karriera e tij politike, pa asnjë sukses vetëm me përçarje dhe përbaltje. Historia nuk do të harroj Albin por nuk do të kujtoj me nder”, ka shtuar Çitaku. /Lajmi.net/