Çitaku: PDK nuk i nënshtrohet diktatit të liderit suprem, LVV ka ofruar nënshtrim

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së VV-së në raport me krizën institucionale në vend, duke thënë se Kosova është shumë më e madhe sesa egoja e kryeministrit Albin Kurti dhe ambicia e deputetes Albulena Haxhiu. Çitaku pas dështimit të seancës së 47 theksoi se PDK nuk ka refuzuar…

Lajme

15/07/2025 11:55

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së VV-së në raport me krizën institucionale në vend, duke thënë se Kosova është shumë më e madhe sesa egoja e kryeministrit Albin Kurti dhe ambicia e deputetes Albulena Haxhiu.

Çitaku pas dështimit të seancës së 47 theksoi se PDK nuk ka refuzuar asnjëherë takime apo diskutime për bashkëpunim, por sipas saj, ato mbeten të kota përderisa Kurti nuk ndryshon qasjen e tij politike.

“PDK asnjëherë nuk iu ka ikur takimeve, gjithmonë ka qenë e hapur për bashkëpunim dhe konstruktivitet. Por fatkeqësisht tashmë ka kaluar koha e fjalëve, është koha e veprimeve,” tha Çitaku.

Ajo shtoi se çdo përpjekje për dialog mbetet pa rezultat nëse qasja autoritare vazhdon nga ana e VV-së, raporton lajmi.net

“Ne mund të takohemi pafundësisht mirëpo nëse Kurti diktatin dhe kryeneçësinë vazhdon ta shndërrojë në instrument politik, atëherë takimi është i kotë,” u shpreh ajo.

Në fund, Çitaku theksoi se PDK nuk do të pranojë imponim politik nga asnjë lider.

“Ne nuk i kemi ikur asnjë lloj takimi. Është për keqardhje mënyra sesi po e trajtojnë Kuvendin e Kosovës. LVV nuk e ka ofruar asnjë zgjidhje, ata kanë ofruar nënshtrim dhe PDK nuk i nënshtrohet diktatit të liderit suprem,” përfundoi Çitaku./Lajmi.net/