Çitaku pas mbledhjes së PDK-së: Kosova është në një terren tërësisht të pashkelur më parë
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një situatë të paprecedentë. “Po besoj që tashmë e keni pranuar komunikatën për shtyp nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Kosova është në një terren tërësisht të pashkelur më parë”, ka thënë…
Lajme
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një situatë të paprecedentë.
“Po besoj që tashmë e keni pranuar komunikatën për shtyp nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Kosova është në një terren tërësisht të pashkelur më parë”, ka thënë Çitaku.
Ajo ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për shkelje të Kushtetutës.
“Askush nuk do të kishte imagjinuar që në vitin 2026, me një lehtësi të padurueshme, njeriu që ka marrë një numër të jashtëzakonshëm të votave në Kosovë, e shkel Kushtetutën e këtë jo një herë, po në mënyrë serike disa herë”, ka deklaruar Çitaku.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së ka paralajmëruar intensifikim të aktiviteteve të kësaj partie.
“Ne do të intensifikojmë aktivitetet tona, do të përdorim çdo mjet demokratik, qytetar, politik e publik për të kthyer Kosovën në binarë të drejtë”, u shpreh ajo.
Çitaku ka thënë se PDK-ja nuk do të lejojë, siç është shprehur ajo, nëpërkëmbjen e Kushtetutës.
“Ky vend, kjo Republikë, kjo Kushtetutë është miratuar me shumë mund, me shumë gjak, me shumë sakrificë dhe ne nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet”, ka përfunduar Çitaku. /Lajmi.net/