Çitaku: Mehaj ka bërë shkelje të rëndë duke kërkuar asetet e FSK-së për operacionet policore

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas shkarkimit të komandatit të FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama dhe emërimit të Bashkim Jasharit në këtë post, duke thënë se të dyja vendimet duhej përcjellur me ceremoni ushtarake.

Lajme

01/12/2021 10:03

Çitaku, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë shkelje të rëndë të ligjit duke kërkuar që të shfrytëzoheshin autoblindat e FSK-së në operacionin policor në veri të Mitrovicës, shkruan lajmi.net.

“Ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore. Me veprime të tilla cënohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate. Reagimi nga SHBA-të ka qenë i ashpër dhe i menjëhershē”, thuhet në postimin e saj.

“Në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin. Gjeneral Jasharajt i dëshiroj sukese dhe mbarësi. Besoj fuqishëm se edhe komandanti i ri i ushtrisë do ta ruaj integritetin e FSK-së. Jam e bindur se do të dalë faqebardhë”, ka shkruar tutje ajo.

Postimi i plotë:

Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni më kredibil dhe më profesional në Republikën e Kosovës.

Përgjatë viteve, kam pasur nderin e veçantë që të bashkëpunoj me shumë oficerë të FSK-së. Gjatë shërbimit tim si Ambasadore në SHBA, kam pasur privilegjin që të shoqëroj dhjetëra delegacione zyrtare. Asnjëherë nuk jam ndjerë më krenare se kur kam qenë përkrahë ushtarëve të FSK-së.

Nuk do ta harrojë kurrë tetorin e vitit 2018, kur bashkë me ndihmësen e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Laura Cooper, kam bashkë-kryesuar mbledhjen e parë të Grupit Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë, të mbajtur në Pentagon. Për nga pregaditja dhe profesionalizmi, oficerët e FSK-së ishin në të njejtin nivel me oficerët amerikan.

Përgjatë fazave të ndryshme të transformimit, nga UÇK, në TMK e më pas FSK, është ruajtur bërthama e luftës çlirimtare, paralelisht me krijimin e vlerave të reja.

Nga Gjeneral Rama, kolonel Qeriqi, kolonel Dreshaj, deri tek Arilena Shala, Yll Dalladaku, Ilirijanë Bunjaku e Luan Haradinaj, ( po i përmend me emër këta me të cilët kam bashkëpunuar, pa i hyrë në hak askujt) FSK sot është ushtri moderne, me oficerë të pregaditur e shkolluar në Akademitë më prestigjioze ushtarake në botë.

Falë punës së tyre para së gjithash, kemi arritur ta ndërrojmë mandatin e FSK-së në ushtri, dhe sot pjesëtarët e FSK-së janë në misione të përbashkëta me trupat amerikane.

Ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore. Me veprime të tilla cënohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate. Reagimi nga SHBA-të ka qenë i ashpër dhe i menjëhershēm.

Në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin.

Gjeneral Jasharajt i dëshiroj sukese dhe mbarësi. Besoj fuqishëm se edhe komandanti i ri i ushtrisë do ta ruaj integritetin e FSK-së. Jam e bindur se do të dalë faqebardhë.

Në fund fare, shteti është edhe ceremoni dhe simbolika. Gjeneral Rama e ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni, sikurse që Gjeneral Jashari e ka merituar ta pranojë detyrën me ceremonitë që i takojnë një emërimi të tillë. /Lajmi.net/