Çitaku: Kuvendi nuk është vend i dhunës politike, kërkon ndaljen e tensioneve dhe respektim të Kushtetutës
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar nga holli i Kuvendit se partia e saj do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për, siç tha ajo, ruajtjen e funksionimit institucional dhe respektimin e rendit kushtetues. Duke iu referuar zhvillimeve politike, Çitaku u bëri thirrje përfaqësuesve të partisë në…
Lajme
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar nga holli i Kuvendit se partia e saj do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për, siç tha ajo, ruajtjen e funksionimit institucional dhe respektimin e rendit kushtetues.
Duke iu referuar zhvillimeve politike, Çitaku u bëri thirrje përfaqësuesve të partisë në pushtet që të ndalin, siç u shpreh, veprimet që po prodhojnë tension politik.
“Kuvendi nuk është vend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit”, tha ajo, duke kërkuar që debati politik të mbetet brenda kornizave institucionale.
Ajo gjithashtu i bëri thirrje aktivistes dhe drejtoreshës së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, që të tërhiqet nga, siç e quajti ajo, përfshirja në proceset aktuale politike.
Sipas Çitakut, shoqëria civile ka dhënë kontribut të rëndësishëm ndër vite, por pjesëmarrja në garat politike, sipas saj, mund të jetë e dëmshme për vetë institucionet dhe besimin publik.
Ajo shtoi se Kushtetuta dhe ligjet nuk duhet të interpretohen sipas interesave ditore politike dhe paralajmëroi se shkeljet e mundshme të rendit kushtetues, sipas saj, përbëjnë rrezik për themelet e shtetit.
Çitaku theksoi se opozita, përfshirë PDK-në, do të vazhdojë të kundërshtojë çdo veprim që e konsideron të dëmshëm për institucionet dhe funksionimin demokratik të vendit. /Lajmi.net/