Çitaku kritikon Kurtin për udhëtimin në Greqi: As ndjeshmëri, as përgjegjësi – vetëm pushtet me çdo kusht

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, pas publikimit të pamjeve nga qëndrimi i tij në një konferencë në Greqi. Sipas saj, Kurti po shpërfill krizën politike dhe institucionale që po kalon Kosova, për të marrë pjesë në një aktivitet ku, siç thotë ajo, nuk ishte…

Lajme

17/07/2025 18:27

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, pas publikimit të pamjeve nga qëndrimi i tij në një konferencë në Greqi.

Sipas saj, Kurti po shpërfill krizën politike dhe institucionale që po kalon Kosova, për të marrë pjesë në një aktivitet ku, siç thotë ajo, nuk ishte i pranishëm asnjë homolog i tij.

“Në një kohë kur vendi po kalon një krizë të thellë politike, ekonomike dhe sociale, Albin Kurti ka zgjedhur të udhëtojë për në Greqi, për të marrë pjesë në një konferencë ku nuk pamë asnjë homolog të tij,” shkruan Çitaku në një postim në rrjete sociale, transmeton lajmi.net

Ajo shton se pamjet e vetme që janë shpërndarë nga pjesëmarrja e Kurtit ishin “nga një bar plazhi”, duke ngritur dyshime mbi seriozitetin e udhëtimit dhe arsyeshmërinë e pjesëmarrjes në këtë ngjarje.

“Ky njeri nuk ka as ndjeshmëri, e as përgjegjësi. Jo vetëm për Kosovën, por as për ata që e kanë votuar dhe e kanë besuar,” thekson deputetja e PDK-së.

Çitaku shkon më tej në kritikat e saj, duke e quajtur Kurtin një figurë që ka “uzurpuar zyrën e Kryeministrit” dhe që, sipas saj, “çdo ditë bën përpjekje për ta përmbysur rendin kushtetues”.

“Sot ishte në bregdetin grek. As ‘revolucionin’ nuk e ka më të rëndësishëm. I vetmi qëllim i tij është pushteti. Me çdo kusht,” përfundon reagimin e saj Çitaku.

Ky reagim vjen në një moment kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituar, pavarësisht 48 tentimeve, dhe vendi po funksionon pa një legjislaturë të re, gjë që ka thelluar edhe më tej përplasjet politike mes pozitës dhe opozitës./lajmi.net/