Çitaku ka disa këshilla për ata që vijnë nga vendet e prekura me koronavirus
Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, i ka dhënë disa këshilla miqësore për personat që vijnë nga vendet e prekura me koronavirus.
Lajme
Ajo i ka këshilluar ata që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
“Nëse vini nga vendet e prekura me koronavirus ose keni pasur kontakte me personat e dyshuar ose të prekur me COVID-19 dhe keni simptoma si ethe, temperaturë apo kollë, ju lusim të qëndroni në shtëpi dhe të shmangni kontaktet! Lajmëroni menjëherë Institucionet shëndetësore”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Postimi i plotë:
Disa nga këshillat e profesionistëve shëndetësor janë të thjeshta për t’u zbatuar, por ato shpëtojnë jetë:
Lani mirë sa më shpesh duart për minimum 20 sekonda!
· Mos i prekni me duar sytë, gojën dhe hundën!
· Mbulojeni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollitjes dhe teshtitjes!
· Faculetat e përdorura hidhni në shportën më të afërt të mbeturinave!
· Shmangni qëndrimet në ambiente të mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
· Shmangni kontaktin e afërt me persona të prekur nga infeksionet respiratore akute!
· Mos merrni antibiotikë, përveç kur ato ua përshkruan mjeku!
· Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!
· Pastroni sipërfaqet me dezinfektues me bazë klori ose alkooli!
· Përcillini simptomat e juaja dhe thirreni mjekun tuaj para vizitës në kujdesin shëndetësor;
· Menaxhoni mirë mbeturinat;
· Pastroni ambientin e punës dhe të shtëpisë me dezinfektues me bazë klori apo alkooli!
Duke e kuptuar seriozitetin e situatës, ju bëj thirrje që, pa frikë, por me kujdes të shtuar, të jemi maksimalisht të kujdesshëm dhe të ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit! /Lajmi.net/