Çitaku i kundërpërgjigjet Kurtit, ia numëron disa raste kur VV-ja i kishte sulmuar e shkarkuar gratë

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku përmes një postim i është kundërpërgjigjur kryetarit të VV-së, Albin Kurti, që e quajti opozitën patriarkale dhe të prapambetur veç që s’po e votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. Çitaku në postimin e saj tha se Kurti duhet të jap llogari për aferat e panumërta korruptive e jo të sulmoj opozitën…

Lajme

31/05/2025 17:25

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku përmes një postim i është kundërpërgjigjur kryetarit të VV-së, Albin Kurti, që e quajti opozitën patriarkale dhe të prapambetur veç që s’po e votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.

Çitaku në postimin e saj tha se Kurti duhet të jap llogari për aferat e panumërta korruptive e jo të sulmoj opozitën me terma të tillë, shkruan lajmi.net

Po ashtu deputetja e PDK-së ia rikujtoi disa raste të parit të VV-së kur partia e tij kishte sulmuar e shkarkuar disa gra në institucione.

Postimi i plotë:

Albin Kurti, në vend që të japë llogari për dëmtimin e ekonomisë dhe prodhuesve vendorë,
në vend që të përgjigjet për aferat e panumërta korruptive të qeverisë së tij,
në vend që të sqarojë përfshirjen e vëllait të Luan Dalipit në pazare me shitblerjen e energjisë, ka zgjedhur, si zakonisht, të sulmojë opozitën, duke e etiketuar si patriarkale dhe të prapambetur.
Ironike, kur dihet që PDK ishte partia e parë që propozoi një grua për Presidente të vendit, Flora Brovinën, dhe në vazhdimësi ka mbështetur gratë në pozita të larta politike dhe publike.
PDK ka saktësuar që nuk i voton Ministrat e Qeverisë Kurti 2. Ndërkohë, në grupin parlamentar të VV ka edhe rreth 40 deputetë tjerë, mes tyre edhe shumë gra. Le të bëjë ndonjë propozim tjetër.
E ndërkohë, LVV ka një histori krejt tjetër:
– Valdete Dakën, e sulmuan deri në shkarkim.
– Vlora Hysenin, e sulmuan dhe e shkarkuan.
– Gresa Cakën, e sulmuan brutalisht, vetëm pse s’mund ta shkarkonin.
Ky është realiteti. Jo propaganda./lajmi.net/