Çitaku e befasuar me deklaratën e Hoxhajt për koalicion me VV-në: Kemi qëndrim të qartë politik
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së nënkryetarit të partisë, Enver Hoxhaj, i cili së fundmi tha se do ta votonte një koalicion ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo deklaratë, sipas Çitakut, ka ardhur si befasi për të, për faktin se vetëm pak ditë më parë,…

Lajme
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së nënkryetarit të partisë, Enver Hoxhaj, i cili së fundmi tha se do ta votonte një koalicion ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Kjo deklaratë, sipas Çitakut, ka ardhur si befasi për të, për faktin se vetëm pak ditë më parë, në ditën e mbajtjes së Konventës së PDK-së, ishte miratuar një deklaratë politike e cila përcaktonte qëndrimet e qarta të partisë ndaj qeverisë aktuale dhe çdo koalicioni të mundshëm. Çitaku theksoi se kjo deklaratë u votua në mënyrë unanime – përfshirë edhe vetë Hoxhajn.
“Për mua ka qenë pak befasi deklarata e Hoxhajt. Sepse është e vërtetë që shpeshherë edhe në mbledhje dhe diskutime ne kemi vlerësime dhe mendime të ndryshme, mirëpo deklarata e Hoxhajt erdhi pak kohë pas mbajtjes së konventës ku ne miratuam një deklaratë politike të PDK-së. Kjo deklaratë ishte shumë e qartë edhe në raport me qeverinë edhe në raport me koalicionet e mundshme dhe ajo deklaratë politike u votua me unanimitet të plotë. Edhe z. Hoxhaj e ka votuar,” tha Çitaku në Rubikon, transmeton lajmi.net
Megjithatë, ajo pranoi se çdo mendim ndryshe nuk e dëmton partinë, për sa kohë mbetet brenda kornizës së debatit demokratik.
“Si do që të jetë është një qëndrim i ri që nuk i bënë dëm shëndetit politik dhe demokratik. Zoti Hoxhaj ishte i qartë, tha se do ta votoja një koalicion nëse do të kishte marrëveshje politike, nuk tha që e voton njëanshëm,” shtoi ajo.
Çitaku komentoi edhe një tjetër deklaratë të Hoxhajt, ku ai kishte thënë se polarizimet ndërmjet Vetëvendosjes dhe partive të tjera janë të rrejshme. Deputetja e PDK-së tha se në këtë pikë nuk është dakord me nënkryetarin e partisë.
“Polarizimet mes VV-së dhe partive tjera nuk janë të rrejshme, këtu nuk pajtohem me Hoxhajn. Do të ishte më mirë sikur të ishin të rrejshme, do ishin të dëmshme por më lehtë të tejkalueshme,” përfundoi Çitaku.
Ky debat i brendshëm brenda PDK-së po zhvillohet në një moment kur skena politike në Kosovë po përballet me një bllokadë të zgjatur institucionale. Deri më tani, partitë parlamentare kanë dështuar plot 40 herë të konstituojnë Kuvendin, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje për formimin e kryesisë, duke e lënë vendin pa institucione funksionale./lajmi.net/