Cili shekull aziatik?

Ka zhvillime në Azi që reflektojnë dhe përforcojnë nacionalizmin në rritje në gjithë rajonin. Është e nevojshme diplomacia më intensive dypalëshe në mes të qeverive aziatike për t'i zgjidhur mosmarrëveshjet e kahmotshme.

Opinion

02/11/2013 20:57

Është bërë paksa klishe të parashikohet se Azia do të dominojë shekullin njëzet e një. Është parashikim i sigurt, meqenëse Azia tashmë përmban 60 % të popullsisë botërore dhe afër 25 % të prodhimit ekonomik global. Azia është gjithashtu rajoni në të cilin bashkëveprojnë shumë nga shtetet më më ndikim të këtij shekulli – duke përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë, Rusinë, Korenë Jugore, Indonezinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por rëndësia në rritje e Azisë nuk tregon asgjë për karakterin e saj. Janë dy shekujë të mundshëm por shumë të ndryshëm aziatik, dhe ajo që rezulton do të ketë pasoja të thella për popujt dhe qeveritë e rajonit – dhe për mbarë botën.

Një e ardhme është ajo e një Azie relativisht të njohur: një rajon ku ekonomitë vazhdojnë të gëzojnë nivele të larta të rritjes dhe i cili mund t’ju shmangët konfliktit në mes të njëri tjetrit.

E ardhmja e dytë është shumë më ndryshe: një Azi me tensione të rritura, buxhete ushtarake në rritje, dhe rritje më të ngadalshme ekonomike. Tensione të tilla mund të rrjedhin nga një vend në tjetrin dhe të pengojnë tregtinë, turizmin, dhe investimin, sidomos nëse ndodhin incidente në mes të forcave rivale ajrore apo detare që operojnë afër njëri tjetrit dhe rreth ujërave dhe territorëve të kontestuara. Hapësira e internetit është edhe një pikë ku konkurrenca mund të del doresh.

Pyetja është nëse Azia e shekullit njëzet e një do t’i ngjaj Europës – rajonit dominues për shumicën e historisë moderne – së pjesës së parë apo të pjesës së dytë të shekullit njëzet? Europa e pjesës së parë përjetoi dy luftëra me çmimin dhe shkatërrimin e paprecedentë, ndërsa ajo e pjesës së dytë ishte kur u menaxhuan tensionet me Bashkimin Sovjetik në mënyrë efektive dhe Europa Perendimore përjetoi paqe dhe prosperitet të paprecedentë.

Referenca e Europës është e dobishme sepse nuk ishte çështja se Europa thjesht kishte fat. Historia rrodhi ashtu siç rrodhi vetëm për shkak se udhëheqësit politikë demonstruan vizion dhe disiplinë të madhe. Si rezultat, kundërshtarët e kahmotshëm si Franca dhe Gjermania u pajtuan brenda një projekti gjithë rajonal – së pari një komunitet i thëngjillit dhe çelikut, i cili më pastaj u zgjërua për t’u bërë Komuniteti Ekonomik Europian dhe, përfundimisht, Bashkimi Europian – kjo integroi kontinentin politikisht dhe ekonomisht në një masë aq të madhe saqë konflikti i dhunshëm u bë i pamendueshëm.

E gjithë kjo vlen të kihet parasysh, sepse pak paralele mund të gjendën në Azinë moderne. Përkundrazi, rajoni njihet për një mungesë të marrëveshjeve dhe institucioneve kuptimplote rajonale, sidomos në sferat politiko-ushtarake dhe të sigurisë. Për më shumë, ka një mungesë të theksuar të pajtimit dhe të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të gjata të mëparshme, gjë që krijon përshtypjen se do të ishte shumë lehtë jo vetëm që të kishte një incident ushtarak mes dy apo më shumë fqinjëve, por që një incident i tillë të shpie në diçka më të madhe.

Shumë nga këto mosmarrëveshje datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore, apo edhe para kësaj. Korea dhe Kina kanë ndjenja të forta anti-japoneze. Nuk ka traktat të paqes në mes të Rusisë dhe Japonisë, dhe këto dy shtete kanë pretendime konkurruese mbi Ishujt Kuril (këto njihen si Territorët Veriore nga japonezët). Kufiri në mes të Kinës dhe Indisë është gjithashtu një çështje e kontestuar.

Në fakt, klima e sigurisë rajonale është përkeqësuar viteve të fundit. Një arsyeje është ndarja e vazhdueshme e Gadishullit Korean dhe kërcënimi që përbën për popullin e vetë dhe për fqinjët e saj një Kore Veriore me armë bërthamore. Kina i ka rritur këto tensione rajonale më politikën e saj të jashtme – përfshirë pretendimet e vazhdueshme në Detet Lindore dhe Jugore të Kinës – që në mënyrë diplomatike do të përshkruheshin si ato të një shteti “me vetëbesim”, dhe më drejtpërdrejt si shtet “ngacmues”.

Ndërkohë, Japonia duket e përkushtuar që të nxjerr vetën nga kufizimet ushtarake të cilat ju ishin imponuar (dhe, që deri së fundmi, ishin të përkrahura nga shumica dërrmuese e japonezëve) si rezultat i sjelljeve agresive që kishte në vitet 1930’ta dhe 1940’ta.

Këto zhvillime reflektojnë dhe përforcojnë nacionalizmin në rritje në gjithë rajonin. Ajo që është e nevojshme është diplomacia më intensive dypalëshe në mes të qeverive aziatike për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e kahmotshme. Nga ajo, duhet të negociohen pakte rajonale për të promovuar tregti të lirë dhe për t’u përballur me ndryshimin e klimës. Në fund, do të duhej që të themelohet një forum rajonal për të rregulluar më mirë dërgimin e forcës ushtarake, duke përfshirë masa për rritjen e besimit për të ulur rrezikun e incidentëve dhe për të ndihmuar në menaxhimin e tyre nëse ndodhin.

Diçka nga ajo që duhet mund të merrte modelin e arritjes së Europës. Por Europa është relevante për një arsyeje shtesë: Europianët ishin të sukseshëm në ruajtjen e stabilitetit dhe në ndërtimin e prosperitetit të madh në shtatë dekadat e fundit, dhe kjo ishte në masë të konsiderueshme shkaku i pranisë dhe i rolit amerikan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një fuqi Atlantike, ishte e integruar plotësisht në marrëveshjet ekonomike dhe të sigurisë në rajon.

Ka gjasa që diçka e ngjashme do të jetë po aq kritike për Azinë, ku SHBA’ja, e cila është edhe fuqi Paqësore, ka interesa të rëndësishme dhe përkushtime të thella. “Kthesa” strategjike amerikane në drejtim të Azisë prandaj duhet të jetë substanciale dhe afatgjate.

Kjo kërkon që administratat amerikane të njëpasnjëshme të theksojnë tregtinë e lirë, të rrisin praninë ajrore dhe detare amerikane, dhe të investojnë në diplomaci të dizajnuar për të promovuar integrimin e Kinës brenda rajonit në terma që janë në përputhje me interesat e SHBA’së, aleatëve të saj (Japonia, Korea Jugore, Filipinet, dhe Australia), dhe të shumë miqve të saj.

Alternative është një Azi e vetmuar – dhe një shekull aziatik që dominohet nga Kina apo që karakterizohet nga ngjarje të shpeshta të tensionit diplomatik apo edhe të konfliktit. Pak kush në Azi apo më gjerë do të përfitonte nga një e ardhme e tillë.

Përktheu D.G.

Richard N. Haass është President i Këshillit mbi Marrëdhënie të Jashtme (Council on Foreign Relations) dhe autor, më së fundmi i Foreign Policy Begins at Home: The Case for Putting America’s House in Order (Politika e Jashtme Fillon në Shtëpi: Argumenti për Vënien në Kontroll të Shtëpisë Amerikane).

(Të drejtat autoriale: Project Syndicate 2013,
 www.project-syndicate.orglajmi.net është anëtare e rrjetit të Project Syndicate.)