Cili po e thotë të vërtetën për dronët “Skydagger”? – Kurti tha se u porositën dhjetorin e vitit të kaluar, Mehaj thotë “e bëra unë kontratën
Mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger, kanë mbërritur dje në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në përshkrimin e tij në Facebook, nuk e la pa përmendur muajin e vitin kur sipas tij u bë kjo kontratë. Kurti tha se kontrata u bë në dhjetor të vitit të kaluar. Ndërkohë…

Lajme
Mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger, kanë mbërritur dje në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në përshkrimin e tij në Facebook, nuk e la pa përmendur muajin e vitin kur sipas tij u bë kjo kontratë.
Kurti tha se kontrata u bë në dhjetor të vitit të kaluar. Ndërkohë ish-ministri i tij, Armend Mehaj, i cili ka dhënë dorëheqje më 8 gusht, 2023, ka thënë se kontratën e ka bërë ai, por e ka mbajtur fshehtë.
Çka tha Kurti:
“Kontrata është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me Kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydagger. Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët.” – ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Ndërkohë, ish-Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, me anë të një statusi të gjatë në Facebook, ka thënë se ishte ai që e bëri marrëveshjen.
“Dua ta konfirmoj qartë se: po, gjatë kohës kur isha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, kam nënshkruar marrëveshjet e parë shtet me shtet, e cila kishte për qëllim furnizimin me kapacitete drona Bayraktar, dronash Puma, dronësh kamikaz dhe shumë armatim tjetër. Kjo marrëveshje nuk është bërë publike menjëherë, ashtu siç kishim rënë në ujdi me partnerin tonë, për arsye konfidencialiteti dhe sigurie operacionale.
Meqenëse dërgesat tashmë kanë mbërrirë, Mehaj e ka parë të udhës ta bëjë një sqarim, që sipas tij u ‘keqkuptua’.
“Tani që dërgesat janë të dukshme për të gjithë, është e rëndësishme të sqaroj një gjë: mënyra se si u arritën marrëveshjet shtet me shtet shpesh është keqkuptuar. Në atë periudhë, blerjet e armatimeve për ushtrinë dhe policinë shpesh kryheshin përmes kanaleve të ndryshme administrative. Me mbështetjen e Kryeministrit Kurti, si ministër kam vendosur dhe zbatuar një sistem të marrëveshjeve shtet me shtet, në përputhje me praktikat e NATO-s, përmes të cilit na është mundësuar blerja e kapaciteteve strategjike në mënyrë transparente dhe të koordinuar.” – ka shkruar ndër të tjera ai.
Ndryshe, Mehaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Ministrit të Mbrojtjes, më 8 gusht 2023. Pra, i bie se me sqarimin e tij, Mehaj ka pretenduar se marrëveshja për mijëra dronë, u bë para kësaj date.
Tutje Mehaj ka paralajmëruar se shumë dërgesa të tjera që do të vijnë, janë si rezultat i marrëveshjeve që janë arritur gjatë kohës sa ai e drejtonte ministrinë.
Postimi i plotë i Mehajt:
Shumë mediume më kanë kërkuar sqarime lidhur me dronët kamikaz që tashmë kanë ardhur nga shteti mik turk. Dua ta konfirmoj qartë se: po, gjatë kohës kur isha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, kam nënshkruar marrëveshjet e parë shtet me shtet, e cila kishte për qëllim furnizimin me kapacitete drona Bayraktar, dronash Puma, dronësh kamikaz dhe shumë armatim tjetër.
Kjo marrëveshje nuk është bërë publike menjëherë, ashtu siç kishim rënë në ujdi me partnerin tonë, për arsye konfidencialiteti dhe sigurie operacionale. Tani që dërgesat janë të dukshme për të gjithë, është e rëndësishme të sqaroj një gjë: mënyra se si u arritën marrëveshjet shtet me shtet shpesh është keqkuptuar.
Në atë periudhë, blerjet e armatimeve për ushtrinë dhe policinë shpesh kryheshin përmes kanaleve të ndryshme administrative. Me mbështetjen e Kryeministrit Kurti, si ministër kam vendosur dhe zbatuar një sistem të marrëveshjeve shtet me shtet, në përputhje me praktikat e NATO-s, përmes të cilit na është mundësuar blerja e kapaciteteve strategjike në mënyrë transparente dhe të koordinuar.
Këto marrëveshje na japin mundësinë të porosisim pajisje të ndryshme, sipas nevojave profesionale, nëse kemi buxhet dhe një vizion të qartë zhvillimor për ushtrin tonë.
Ndërsa sa i përket reagimeve të presidentit serb rreth ardhjes në Kosovë të dronëve kamikaz, dua t’i kujtoj Vuçiqit dhe çdo udhëheqësi tjetër serb se Kosova është shumë më e fortë ushtarakisht sesa paramendohet. Andaj, paqja në Ballkan është më se e domosdoshme, dhe kjo arrihet vetëm me respekt dhe bashkëpunim. Me këtë rast, bëjmë thirrje që Serbia ta shmangë retorikën luftënxitëse dhe një herë e përgjithmonë të shkëputet nga politika e ish diktatorit Millosheviç.
Ka edhe shumë marrëveshje të tjera që do te përmenden më vonë, dhe ka shumë armatim që as në ëndërr nuk e kemi pa më parë. Këto punë i kam kryer bashkë me ekipin tim në Ministrinë e Mbrojtjes.
Kosova dhe atdheu mbi të gjitha.
Postimi i plotë i Kurtit:
Kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger mbërrinë sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Dhjetëra ushtarakë të FSK-së tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.
Kontrata është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me Kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydagger. Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët.
Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger të prokuruar nga ne janë dronë luftarak të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut.
Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas TB2 Bayraktar dhe fluturakeve Puma po vazhdojmë të ngrisim dhe shtojmë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore.
Dronët u ngarkuan në kamionët multifunksional Rheinmetall 8×8 që i patëm marrë vitin e kaluar, 15 sosh gjithsej, 10 të blera nga ne dhe 5 donacion.