Cili është numri “magjik” që të siguron vota?
Nëse e ke numrin në listën për deputet të njëjtë me atë të subjektit me të cilin garon në zgjedhje, ndoshta nuk ke nevojë fare të bësh fushatë. Votat i ke thuajse të garantuara për t’u bërë deputet.
Lajme
Numri i madh i votave të pavlefshme në zgjedhjet e fundit dhe ato parapraket, tregon se shumë votues vazhdojnë ta kenë të paqartë formën e votimit. Por ka pasur edhe nga ata votues që kanë menduar që numri rendor i partisë duhet rrumbullakuar dy herë, herën e parë te partitë dhe herën e dytë te numrat rendor të kandidatëve.
Kjo më së shumti u ka shkuar për shtati atyre kandidatëve që kanë pasur numrin rendor në listë të njëjtë me atë të partisë.
Këtë e dëshmon edhe numri i votave që ata kanë marrë në zgjedhjet e fundit. Disa prej tyre edhe kanë arritur të zgjidhen deputetë, kushtimisht me fat, e jo se elektorati i ka njohur dhe i ka përzgjedhur si të preferuarit e tyre, për t’u dhënë votë.
Shembuj të tillë kemi te kandidati i Lëvizjes për Bashkim, subjekt ky që ka garuar në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Raif Qela nga LB me numër rendor në listë të njejtë sikurse koalicioni, pra 58, ka arritur të bëhet deputet duke marrë 11 448, ndërsa lideri i partisë së tij, Avni Klinaku i renditur si i 7-ti në listë, ka marrë përgjysmë më pak vota, vetëm 5 300, duke ngelur jashtë kuvendit.
Njëjtë ka ndodhur edhe me Bali Muharremajn e AAK-së. Ai duke qenë i 44-ti në listë, numër i njëjtë sikurse i subjektit me të cilin ka garuar, ka arritur që fitojë vota më shumë se numri dy i partisë, Blerim Shala.
Muharremaj ka fituar vota më shumë edhe se dy bashkëvendësit tjerë të tij, shumë më të njohur se ai, ish kryetari i Suharekës Blerim Kuçi dhe ish deputeti Burim Ramadani. Të dy këta të fundit, rrezikojnë të ngelen jashtë kuvendit.
Më poshtë i keni disa nga kandidatët për deputetë të cilët kanë garuar me numër të njëjtë sikurse të partisë apo koalicionit dhe që kanë përfituar nga numri “magjik” rendor.
58 Raif Qela 11 448 vota (nga Lëvizja për Bashkim në listën e PDK-së)
54 Njomza Emini 7 559 (LDK)
35 Arben Gecaj 3 793 (LVV)
44 Bali Muharremaj 5 038 (AAK)
59 Naim Bogujevci 1,064 (NISMA)
40 Gjergj Dedaj 1,444 (PLK në AKR)
37 Taulant Bytyqi 42 (PF)