Cili është çmimi i paralelizmit në Kosovë?

Institucionet paralele të Serbisë në Kosovë, sipas Naim Rashitit, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, janë pasqyrim i një përpjekjeje të planifikuar dhe të qëllimshme të Beogradit për ta ruajtur status quo-në për serbët në Kosovë. Me fjalë të tjera, thotë ai, bëhet fjalë për një përpjekje për ta penguar integrimin e serbëve…

Lajme

30/07/2026 10:47

Institucionet paralele të Serbisë në Kosovë, sipas Naim Rashitit, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, janë pasqyrim i një përpjekjeje të planifikuar dhe të qëllimshme të Beogradit për ta ruajtur status quo-në për serbët në Kosovë. Me fjalë të tjera, thotë ai, bëhet fjalë për një përpjekje për ta penguar integrimin e serbëve në shoqërinë dhe sistemin institucional të Kosovës.

Rada Trajkoviq, nga Lëvizja Evropiane e Serbëve nga Kosova, çështjen e paralelizmit e lidh me sigurinë, duke thënë se besimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës nuk është zhvilluar, prandaj ky komunitet është mbështetur te institucionet që ia sigurojnë mbijetesën financiare.

Rashiti dhe Trajkoviqi i paraqitën këto vlerësime për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL), ku u diskutua për problemet e pushtetit paralel, pas zbulimeve që lidhen me emrin e Snezhana Paunoviqit, ministre për Vetëqeverisje Lokale në Qeverinë e Serbisë.

Rasti i Paunoviqit
Duke shqyrtuar bazat publike të të dhënave, REL-i konstatoi se, para se të bëhej ministre në vitin 2025, Snezhana Paunoviq merrte pagë si deputete, por edhe si drejtoreshë e Institucionit paralele serb Farmaceutik në Pejë të Kosovës.
Megjithatë, ky institucion zyrtarisht nuk ekziston që nga viti 2021. Institucioni Farmaceutik i Pejës, me seli në Gorazhdec, u shua më 7 tetor 2021 me vendim të Qeverisë së Serbisë.

Kërkesën për fshirjen e tij nga regjistri i institucioneve shëndetësore në vitin 2021 e dorëzoi pikërisht Paunoviq, tregojnë dokumentet e analizuara nga REL-i.

Megjithatë, ajo vazhdoi të merrte pagë si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik të Pejës deri më 15 prill 2025, kur u bë ministre.

Këtë e tregojnë raportet për të ardhurat dhe pasurinë që vetë Paunoviq ia dorëzoi Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë më 28 korrik, Paunoviq deklaroi se nuk ekziston vendim i Qeverisë së Serbisë për shuarjen e Institucionit Farmaceutik të Pejës.

“Nga viti 2021 ekziston vendimi i Qeverisë për themelimin e Institucionit Farmaceutik Mitrovica e Kosovës dhe propozimi për integrimin e pesë institucioneve farmaceutike në këtë institucion të ri”, tha Paunoviq.

Megjithatë, dokumentacioni publik tregon se Qeveria e Serbisë, në vendimin për themelimin e Institucionit Farmaceutik Mitrovica e Kosovës, ka përcaktuar gjithashtu se Institucioni Farmaceutik i Pejës pushon së funksionuari dhe se institucioni i ri merr përsipër mjetet, pronën, të drejtat, detyrimet dhe punonjësit e tij.

Pse po humb besimi në institucione?
Trajkoviq thotë se rasti i fundit vetëm sa e thellon mosbesimin e serbëve, qytetarëve të Kosovës. Ajo e përshkruan qasjen e autoriteteve të Kosovës ndaj tyre si “represive”, por shton se zbulime si ato që lidhen me ministren Paunoviq ndikojnë edhe në rënien e besimit të tyre ndaj Beogradit.
“Ata po u drejtohen gjithnjë e më shumë disa djemve të lagjes, për të mos thënë strukturave paralele ose grupeve kriminale, për të cilët besojnë se do t’i mbrojnë”, thotë Trajkoviq.

Duke folur për mungesën e besimit në institucionet e sistemit, Rashiti vlerëson se sot, në Kosovë, paratë përdoren nga të dyja palët “për të shpërndarë para të gatshme para zgjedhjeve, me qëllim blerjen e mbështetjes”.

Si erdhi deri këtu?
Marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën Serbia dhe Kosova e nënshkruan në vitin 2013, parashihte edhe integrimin e institucioneve serbe në sistemin e Kosovës.

Menjëherë pas nënshkrimit, përfaqësuesit serbë hynë në Kuvendin e Kosovës, Qeverinë, Policinë dhe sistemin gjyqësor.

Megjithatë, që nga viti 2022, institucionet u braktisën masivisht për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve nga targat serbe në ato të Kosovës, si dhe për shkak të shkarkimit të drejtorit të policisë në veri, i cili refuzoi ta zbatonte këtë vendim.
Autoritetet e Kosovës u përgjigjën duke shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, të cilat u bojkotuan kryesisht nga serbët. Si rezultat, u zgjodhën kryetarë komunash të nacionalitetit shqiptar. Pasuan protesta dhe përplasje me forcat e rendit.

Në mesin e vitit 2025 u mbajtën sërish zgjedhje, në të cilat serbët u kthyen në institucione, ndërsa procesi i rikthimit në polici dhe gjyqësor ende po vazhdon.

Në të njëjtën periudhë vazhdoi mbyllja e institucioneve të financuara nga Serbia, gjë që i vendosi ata që kishin status të dyfishtë – të punësuar në Kosovë dhe në Serbi – në pozitën që të merrnin paga nga të dyja anët.

Paga nga të dyja anët
Trajkoviq i quan “mizore” kritikat ndaj serbëve që punojnë njëkohësisht në institucionet e Serbisë dhe të Kosovës.

“Sidomos duke pasur parasysh gjithçka që kanë përjetuar serbët në Kosovë në periudhën pas luftës. Kur i përjashtoni nga pothuajse të gjitha institucionet, shtrohet pyetja nëse dëshironi një Kosovë shumetnike apo jo. Nëse dëshironi që serbët të mbeten, ata nuk mund të mbijetojnë pa para. Paratë janë shumë të rëndësishme. Në thelb, kështu u krijuan këto institucione, të cilat ishin të mbështetura nga bashkësia ndërkombëtare”, thekson Trajkoviq.

“Situata do të mbetet e tillë”, vlerëson Rashiti, duke besuar se nuk mund të ketë relaksim të marrëdhënieve pa ndryshimin e qasjes së Serbisë ndaj marrëdhënieve që ndërton me shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Duke folur konkretisht për paralelizmin institucional, ai këmbëngul: “Sot paratë përdoren edhe në sistemin politik të Kosovës për shpërndarjen e parave të gatshme para zgjedhjeve, me qëllim blerjen e mbështetjes zgjedhore dhe politike. Sistemi serb e bën këtë në Serbi prej shumë kohësh. Shoqëria nuk ka më besim te institucionet; liderët politikë blejnë mbështetje politike, ndërsa institucionet janë përgjithësisht të dobëta, të pasigurta dhe joefikase”.

Shembuj dhe pasojat
Ndërtimi i pishinës olimpike në Leposaviq, në veri të Kosovës, nisi përmes sistemit të Serbisë pothuajse dy dekada më parë. Megjithatë, pishina nuk është përfunduar as sot dhe në vend të saj ndodhet një gropë betoni.

Rasti çoi edhe në ngritjen e një aktakuze për dyshime mbi parregullsi në prokurimin publik.

Spitali në Graçanicë, pranë Prishtinës, prej dy dekadash funksionon në kontejnerë. Fondet për këtë spital i ka ndarë Qeveria e Kosovës.

Megjithatë, pasi institucionet shëndetësore funksionojnë në sistemin e Serbisë, spitali në këtë pjesë me shumicë serbe nuk është përfunduar kurrë plotësisht dhe as nuk është vënë në funksion të plotë.

Institucionet e Serbisë në Kosovë, vetëm që nga fillimi i vitit 2026, kanë lidhur dhjetë kontrata me kompaninë e Radulle Steviqit, me vlerë mbi një milion euro, edhe pse kjo kompani nuk ka arritur të përfundojë më shumë se njëzet punë të mëparshme në mjediset serbe në Kosovë.
Steviqi është nën sanksione të SHBA-së për lidhje me krimin dhe korrupsionin, ndërsa në Kosovë është nën aktakuzë për dyshime për përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe vrasjen e një polici në Banjskë në shtator 2023.

Tri ndërmarrje në pronësi të Elektroekonomisë së Serbisë (EPS), me seli të regjistruar në Kosovë, kanë borxhe mbi gjysmë miliard euro. Termocentralet Kosova, Minierat Sipërfaqësore Kosova dhe Elektrokosmet renditen ndër 100 humbësit më të mëdhenj në Serbi, sipas raporteve financiare publike në regjistrin ekonomik serb.

Këto kompani, me adresa fiktive në Kosovë, vazhdojnë të funksionojnë edhe 25 vjet pasi Serbia humbi kontrollin mbi pronën dhe veprimtarinë e sistemit energjetik të Kosovës.

Kosova, sipas ligjit, është e obliguar t’u sigurojë komunave fonde për pagat e punonjësve në arsim dhe shëndetësi. Për shkak të funksionimit paralel të sistemit serb, nuk ekziston kontroll i duhur mbi shpenzimin e këtyre mjeteve, gjë që lë të hapur mundësinë për paga të dyfishta, kontrata fiktive dhe keqpërdorime të mundshme të parave publike.
Në shkurt 2024, REL konstatoi se një pjesë e mjeteve ishte shpenzuar në mënyra të dyshimta.

Para se të bëhej ministre në Qeverinë e Serbisë në vitin 2025, Snezhana Paunoviq merrte pagë si deputete dhe si drejtoreshë e Institucionit Farmaceutik Pejë në Kosovë, megjithëse ky institucion zyrtarisht nuk ekziston që nga viti 2021.

“Disa njerëz, të ashtuquajtur biznesmenë, të cilët ishin nën mbrojtjen e Millan Radoiçiqit (i cili pranoi përgjegjësinë për sulmin ndaj policëve të Kosovës në Banjskë), dhe që janë të lidhur me pushtetin në Beograd, kishin privilegjin të merrnin të gjitha punët e mëdha dhe në këtë mënyrë krijuan pasuri. Por bëhet fjalë për një numër të kufizuar njerëzish të lidhur me pushtetin në Serbi”, thotë Trajkoviq, duke komentuar shembujt e mësipërm.

“Çdo gjë mund të kishte qenë shumë më mirë”, vlerëson Naim Rashiti.

“Paralelizmi i bazuar në bashkëpunim ndërinstitucional do të kishte qenë shumë i dobishëm për komunitetet, para së gjithash për serbët e Kosovës. Nuk do të kishte asgjë të diskutueshme nëse njerëzit do të merrnin pensione apo të ardhura shtesë nga Serbia, ndërkohë që do të ruheshin shërbimet kyç, para së gjithash arsimi dhe kultura. Gjithashtu, mund të ishte krijuar një sistem që do t’i mundësonte komunitetit serb të investonte brenda sistemit institucional të Kosovës”, thekson Rashiti.