Cikloni godet Greqinë, reshjet e dendura dhe stuhitë e fuqishme i morën jetën një gruaje

Një grua ka humbur jetën në Vassili në Farsala, Thesali, si pasojë e ciklonit “Ianos” ka njoftuar Brigada e Zjarrfikësve, gjatë operacionit për shpëtim.

Bota

19/09/2020 09:40

Mediat greke shkruajnë se cikloni i rrallë mesdhetar “Ianos” ka goditur fuqishëm disa zona të vendit. Në të gjitha zonat të cilat ka prekur cikloni Shërbimi Zjarrfikës ka pranuar mbi 2450 thirrje urgjente për ndihmë, ndërsa ka shpëtuar rreth 600 persona që rrezikoheshin nga përmbytjet.

Moti i keq ka krijuar probleme të mëdha në pjesë të ndryshme të vendit, me fokusin në orët e fundit duke u zhvendosur në Thesali.

Gjithashtu, operacioni i shpëtimit për të shpëtuar tre persona në zonën e Almyros Volos përfundoi me sukses pasi ata ishin bllokuar në një përrua, transmeton shekulli.com

Ndër të tjera bëhet me dije se shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje dhe ndërprerje të energjisë në disa zona.

Ndërkohë, 645 banorë janë të bllokuar në shtëpi, ndërsa evakuimet nga forcat speciale EKAM dhe zjarrfikëset kanë vijuar operacionet përgjatë gjithë natës.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe në raste emergjente, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve kompetente.