Cheesecake me biskota Oreo, çokollatë të bardhë dhe mjedra

10:55 | 23 Maj 2019

Një recetë e mrekullueshme për një ëmbëlsirë.

Në çdo rast që do t’ju duhet të përgatisni një ëmbëlsirë super të shpejtë që kënaq shijet e shumë personave, zgjidhja është cheesecake dhe ky  është thjesht fantastik, transmeton “Living”.

Baza për tavë me diametër 20/22 cm:  250 g biskota Oreo 80 g gjalpë i butë si krem në temperaturë ambienti.
Për mbushjen:  300 g djathë Philadelphia 150 g Mascarpone 200 g çokollatë e bardhë.
Për dekorim:  200 ml pana e ftohtë nga frigoriferi 2 lugë të mëdha Mascarpone 3 lugë sheqer 1 bustinë vanilje mjedra ose frutë tjetër sipas dëshirës.

Përgatitja: Në blender grijmë biskotat bashkë me gjalpin derisa të bëhen si pluhur. E hedhim këtë masë në tavën e veshur me letër furre në bazë dhe në anësoret e saj (në fillim lyejmë tavën me gjalpë dhe më pas vëmë letrën e furrës. Gjalpi në këtë rast shërben si ngjitës). E shtypim me rrahësin e mishit ose fundin e një gote që të bëhet sa më kompakte dhe më pas e vëmë tavën në frigorifer për 15/30 minuta.

Shkrijmë çokollatën e bardhë në banjëmari ose në mikrovalë. E lëmë mënjanë të vaket. Në një tas hedhim Phialdelphia-n, Mascarpone-n dhe çokollatën e vakët. I rrahim me rrahësin elektrik të vezëve derisa të kemi një krem si të ngrirë (3-4 minuta) e hedhim mbi bazën e biskotave, e nivelojmë me lugë dhe e lëmë përsëri në frigorifer për të paktën 2 orë.

Pas kësaj kohe rrahim me rrahësin elektrik panën e ftohtë nga frigoriferi bashkë me sheqerin, Mascarpone-n dhe vaniljen derisa të bëhen marengë (si krem i ngrirë). E hedhim më pas në një qese pastiçerie dhe zbukurojmë ëmbëlsirën, të cilën e kemi hequr nga tava. Vëmë sipër nga një mjedër. E ruajmë në frigorifer.