Çfarë u tha para dhe pas seancës së 31-të të Kuvendit dje?
Përpjekja e 31-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, duke thelluar më tej krizën politike në vend. Shkaku mbetet i njëjtë: mungesa e votave për formimin e një komisioni të fshehtë, që do të mundësonte procedimin e mëtejmë. Seanca zgjati vetëm 2 minuta e 45 sekonda, dhe nga 87 deputetë…

Lajme
Përpjekja e 31-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, duke thelluar më tej krizën politike në vend. Shkaku mbetet i njëjtë: mungesa e votave për formimin e një komisioni të fshehtë, që do të mundësonte procedimin e mëtejmë. Seanca zgjati vetëm 2 minuta e 45 sekonda, dhe nga 87 deputetë të pranishëm, vetëm 47 votuan pro propozimit.
Pas përfundimit të kësaj seance të shkurtër, politikanët dhanë reagime të ndryshme, ku dominuan zhgënjimi dhe akuzat për mungesë përgjegjësie dhe vullneti politik.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cilësoi situatën si të pashpjegueshme në gjuhën shqipe.
“Fatkeqësisht mungon definicioni në gjuhën shqipe për të përshkruar absurditetin e situatës në të cilën ndodhemi. Kemi parë tash e disa muaj një shpërfaqje të shkallës së lartë të papërgjegjësisë dhe mungesës së ndjeshmërisë në raport me qytetarin.”
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u ndal shkurt, por me një mesazh të qartë për LDK-në.
“Matematika është shumë e thjeshtë, vetëm 19 vota nga LDK-ja, unë i bëj krejt tjerat dhe bëhemi 61.”
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk komentoi drejtpërdrejt planin 15-pikësh të propozuar nga LDK, por tha: “Ka folur deputeti ynë Artan Abrashi, i cili flet në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes.”
Më herët, deputeti i VV-së, Artan Abrashi, e kishte quajtur planin e LDK-së si “joserioz”.
Përpara nisjes së seancës, pati deklarata edhe nga figura të tjera politike. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi: “Nuk e kam lexuar fare,” – duke iu referuar planit të LDK-së.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, u shpreh: “Ajo që është parë, nuk shihet vullnet që dikush edhe si i dytë mund të ketë shumicë të konsoliduar, që do të krijonte shumicën për qeveri. Kjo është ofertë për të kaluar ngërçin politik.”
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se situata i ka lodhur të gjithë.
“A jemi lodhur edhe na, edhe ju, edhe qytetarët? Jemi lodhur, por nuk është në dorën time.”
Ndërsa kreu i Nismës, Fatmir Limaj, u shpreh se nuk ka ende bisedime zyrtare për Qeverinë e Unitetit, por shtoi: “Do të ketë shpejt marrëveshje politike.”
Seanca e radhës për tentimin e 32-të për konstituimin e Kuvendit pritet të mbahet të dielën, në ora 11:00.