Çfarë thotë Raporti i Komisionit Evropian për lirinë e shprehjes në Kosovë?

Raporti i Progresit për vitin 2025 ka sjellë pamje të zymtë për lirinë e shprehjes në Kosovë. Gazetarët janë të pambrojtur dhe institucionet që duhet të garantojnë pavarësinë e tyre janë bllokuar. Asnjë rekomandim i vitit të kaluar nuk është zbatuar. Presioni politik vazhdon ta dëmtojë hapësirën e lirisë së shprehjes. Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ligjin…

Lajme

17/11/2025 21:06

Raporti i Progresit për vitin 2025 ka sjellë pamje të zymtë për lirinë e shprehjes në Kosovë. Gazetarët janë të pambrojtur dhe institucionet që duhet të garantojnë pavarësinë e tyre janë bllokuar.

Asnjë rekomandim i vitit të kaluar nuk është zbatuar. Presioni politik vazhdon ta dëmtojë hapësirën e lirisë së shprehjes.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ligjin për KPM-në, ndërsa peizazhi mediatik mbetet i brishtë, me pronësi jotransparente dhe mungesë të qëndrueshmërisë financiare. Në veri të vendit, autocensura është e pranishme.

Komisioni Evropian rithekson se të gjitha rekomandimet e vitit të kaluara nuk janë zbatuar.

Kosova duhet të rrisë kapacitetet e prokurorisë, gjyqësorit dhe policisë në trajtimin e rasteve;  

Kosova duhet të miratojë protokolle të sigurisë dhe mekanizma të reagimit të shpejtë; 

Kuvendi duhet të miratojë Ligj të ri për KPM-në dhe rishikim i Ligjit për RTK;

Kuvendi duhet të emërojë pa vonesa bordet e KPM-së dhe RTK-së, si dhe kjo e fundit drejtorin e RTK-së.

Raporti tregon edhe për 70 raste sulmesh, kërcënimesh dhe pengesash ndaj gazetarëve, përfshirë një padi SLAPP.

Gjatë fushatës, zyrtarë të lartë, përfshirë Kryeministrin, përdorën gjuhë fyese ndaj mediave, duke krijuar klimë të frikës dhe diskreditimit të gazetarëve.

Kosova duhet të harmonizojë ligjet me Aktin Evropian për Lirinë e Medias dhe direktivat kundër SLAPP-it.

Ligji për RTK-në dhe ai për mbrojtjen e burimeve ende mungojnë, ndërsa ligji për fyerjen civile kërkon harmonizim me standardet e GjEDNJ-së.

Komisioni i Pavarur i Mediave është pothuajse jofunksional. Që nga janari 2025 ka mbetur pa kuorum, dhe Bordi i Ankesave është bllokuar prej vitit 2023. Pa funksionim të Kuvendit, asnjë prej këtyre problemeve nuk është zgjidhur.

Në nivel evropian, situata është cilësuar alarmante.

Ambasadori Aivo Orav, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, deklaroi: “Për të ndihmuar Kosovën të bëjë përparim na duhen partnerë. Na duhet një qeveri që mund të avancojë liritë themelore. Fatkeqësisht, ka qenë një vit i humbur”.

Nga ana tjetër, Kryeministri në detyrë dha një lexim krejt tjetër të raportit.

“Raporti i sivjetmë është pozitiv në pothuajse të gjitha fushat. Nuk ka pasur kthim prapa. Ka pasur progres në 36 fusha dhe ngecje vetëm në tri. Progresi ynë është nga i kufizuar në i përparuar”, tha ai.

Ndërkohë, realiteti mbetet i pandryshuar.

Transmetuesi publik, RTK, është në krizën më të rëndë ndër vite. Nuk ka financim të qëndrueshëm, nuk ka bord funksional dhe nuk ka drejtor të përgjithshëm. Pa vendimmarrje, RTK është jofunksionale dhe e ekspozuar ndaj presionit politik.

Problemet janë të thella edhe brenda: 75% e buxhetit shkon për paga, objekti i punës është jashtë standardeve dhe mungojnë stafi teknik dhe shërbimet për komunitetet jo-shumicë. Situata është aq e rëndë sa në janar 2025 u dërgua letër paralajmëruese nga drejtori i RTK2 për degradimin e këtij kanali.

Tregu mediatik mbetet i brishtë, pronësia nuk është transparente, financimi është i paqëndrueshëm dhe varësia nga donatorët është rritur. Mediat e komuniteteve jo-shumicë dhe programet e edukimit mediatik kanë pësuar goditje të mëdha.

Mesazhi i raportit është i qartë: liria e shprehjes në Kosovë është nën presion të vazhdueshëm. Gazetarët nuk janë të mbrojtur, institucionet janë jofunksionale, ligjet nuk avancojnë dhe mjedisi politik mbetet armiqësor ndaj profesionistëve të medias.

Raporti kërkon veprim urgjent: më shumë mbrojtje për gazetarët, pavarësi për institucionet e medias dhe transparencë në financim./BetimipërDrejtësi