Çfarë sinjalizoi vizita e shefes së BE-së në Kosovë?
Ursula von der Leyen e nisi dhe e përfundoi këtë javë një turne në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, por vizita e shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë mund të ketë qenë më e shkurtra dhe u përmbyll nga ana e saj me një postim në rrjetin social X. Ç’mesazh përçoi? Çfarë nënkuptojnë kërkesat që…

Lajme
Ursula von der Leyen e nisi dhe e përfundoi këtë javë një turne në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, por vizita e shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë mund të ketë qenë më e shkurtra dhe u përmbyll nga ana e saj me një postim në rrjetin social X. Ç’mesazh përçoi? Çfarë nënkuptojnë kërkesat që pati ajo për Kosovën?Nga e hëna, deri në mbrëmjen e së mërkurës, kryetarja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, udhëtoi nëpër gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, rajon që synon t’i bashkohet një ditë bllokut evropian.
Në pjesën më të madhe të shteteve, von der Leyen foli për rëndësinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe për rrugën që kanë bërë ato drejt tij.
Për përparim në këtë rrugë, Kosova, tha ajo, duhet të ketë institucione të forta, t’i ulë tensionet dhe t’i bëjë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes – paketë në vlerë prej 6 miliardë eurosh, që synon përshpejtimin e rrugës së shteteve të rajonit në BE.
Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.
Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë (REL), beson se komentet e von der Leyenit në rrjetin social X thjesht i pasqyrojnë prioritetet e Brukselit në Ballkanin Perëndimor, dhe se aty Kosova shihet se është e vendosur fort në prapaskenë.
“Nuk po ecën përpara siç kanë bërë Mali i Zi dhe Shqipëria, nuk është një prioritet gjeostrategjik dhe ekonomik siç është Serbia, pavarësisht belave të saj”.
Augustin Palokaj, gazetar që përcjell politikat e BE-së, thotë për REL-in se vlerësimi i zyrtares evropiane është i saktë, dhe se nuk është fshehtësi që raportet e KE-së me Kosovën nuk janë të mira dhe të rregullta.
“Kosova nuk ka fare institucione me legjitimitet të plotë, që do të kishin dalë nga zgjedhjet që janë zhvilluar qysh në muajin shkurt”.
Kjo situatë, sipas tij, e ka dëmtuar më pas Kosovën në procesin e sigurimit të fondeve nga Plani i Rritjes, ndonëse vendi ka qenë ndër të parët që e ka miratuar agjendën e reformave, një proces që Bosnje e Hercegovina nuk e ka finalizuar ende.
Kosova ka arritur ta konstituojë Kuvendin, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Në mungesë të tij, vendi nuk mundi ta ratifikonte marrëveshjen që do të mundësonte lëshimin e fondeve të BE-së.
Roli i sanksioneve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha pas takimit me shefen e BE-së se ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese ndaj vendit që udhëheq. Masat, që Kosova i konsideron të padrejta, u vendosën më 2023 për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të vendit, dhe vetëm në maj të këtij viti nisën të largohen gradualisht.
Palokaj beson se në këtë pikë do të luajë rol procesi i transformimit të pushtetit lokal në veri të Kosovës: nëse shkon në mënyrë të duhur, atëherë vendet që duan heqjen e masave do ta kenë një argument të mirë.
Ai i referohet rezultatit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, të cilat i fitoi Lista Serbe. Këto komuna janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë, pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022.
“Kosova duhet t’i ketë institucionet e veta, që brenda Kosovës të ketë stabilitet institucional, e ato institucione të kenë raporte më korrekte me bashkësinë ndërkombëtare. Kur them më korrekte, mendoj në faktin se duhet të ketë mirëbesim në mesin e tyre, nuk e fajësoj as njërën, as tjetrën palë, sepse nuk mund të pretendojë Kosova se ka raporte të mira me Shtetet e Bashkuara, me vendet e QUINT-it [SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca], as me Komisionin Evropian, kur ata thonë se s’janë raportet e mira”.
Kur jemi te zgjedhjet, janë pikërisht proceset zgjedhore në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut arsyetimi që përmendën zyrtarët evropianë se pse von der Leyen nuk mbajti konferenca për media pas takimeve me zyrtarë shtetërorë.