Çfarë Real Madridi! Përmbys Sevillan nga dy gola disavantazh dhe merr tri pikët në udhëtim

Real Madrid ka marrë një fitore spektakolare në ndeshjen e luajtur në udhëtim kundër Sevilla.

Sport

17/04/2022 22:59

‘Los Blancos’ nuk e nisën aspak mirë takimin, por megjithatë arritën që në fund të marrin një fitore spektakolare 2:3 ndaj Sevilla, shkruan lajmi.net.

Skuadra e Carlo Ancelotti u thye dy herë në pjesën e parë. Ivan Rakitic shënoi në minutën e 21’ të takimit, pas një gjuajtje perfektë nga goditja e lirë.

Epërsinë e Sevilla e dyfishoi argjentinasi Erik Lamela në minutën e 25’. Por, në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka.

Disa zëvendësime të bëra nga Carlo Ancelotti rezultuan të suksesshme në fund. Rodrygo ngushtoi epërsinë e Sevillas në 2:1 në minutën e 50’, kurse në minutën e 83’ Nacho barazoi gjithçka në 2:2. Në të dyja rastet asistues ishte Carvajal.

Kur mendohej se skuadrat do të ndanin nga një pikë, në skenë doli lojtari më në formë kohëve të fundit, Karim Benzema.

Ylli francez dërgoi topin në rrjetë në minutën e 90+2’ të takimit, pas një asistimi nga Rodrygo. Me golin e Benzema, Reali merr me vete në Madrid tri pikët nga Andaluzia.

Real Madrid kështu shkon në kuotën e 75 pikëve për pozitën e parë. Sevilla mbetet me 60 pikë dhe mban pozitën e tretë në tabelë. /Lajmi.net/