Çfarë pritet nga Specialja për ish-krerët e UÇK-së deri më 19 maj?
Kanë kaluar tashmë mbi 50 ditë që nga përfundimi i procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret brenda afateve të përcaktuara ligjore. Sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për të shpallur verdiktin, me mundësinë e…
Lajme
Kanë kaluar tashmë mbi 50 ditë që nga përfundimi i procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret brenda afateve të përcaktuara ligjore.
Sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për të shpallur verdiktin, me mundësinë e një shtyrjeje shtesë deri në 60 ditë vetëm në raste të jashtëzakonshme.
Duke qenë se nga 19 shkurti, kur përfundoi gjykimi, deri më 9 prill kanë kaluar saktësisht 50 ditë, gjyqtarëve u kanë mbetur edhe 40 ditë për të marrë vendimin.
Në mungesë të ndonjë njoftimi për kërkesë për shtyrje, afati përfundimtar mbetet 19 maji, datë që shihet si moment kyç për epilogun e një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore për Kosovën.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale për rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Artan Qerkini, për FrontOnline ka folur për afatin e 19 majit dhe pritshmëritë për vendimin final, duke theksuar se nga një këndvështrim strikt juridik, provat e paraqitura nga Prokuroria nuk e përmbushin standardin e kërkuar në drejtësinë penale ndërkombëtare.
Ai ka vlerësuar se në bazë të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor, një vendim fajësie do të ishte i paqëndrueshëm.
“Sa i përket pritshmërive për verdiktin final, nga një këndvështrim strikt juridik dhe mbi bazën e provave të administruara gjatë procesit gjyqësor, vlerësimi im është se Prokuroria nuk ka arritur të përmbushë barrën e provës përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Kjo vlen si për pretendimet lidhur me ndërmarrjen e përbashkët kriminale (Joint Criminal Enterprise), ashtu edhe për përgjegjësinë komanduese”, ka deklaruar Qerkini për FrontOnline.
Ai ka shtuar se dëshmitë e paraqitura nga Prokuroria kanë qenë të pamjaftueshme dhe në shumë raste jokonsistente, ndërsa mbrojtja ka arritur të sfidojë pikat kyçe të aktakuzës.
“Në veçanti, dëshmitarët e Prokurorisë, në një numër të konsiderueshëm rastesh, nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë prova të drejtpërdrejta dhe konsistente që do të mbështesnin akuzat. Për më tepër, dëshmitarë me kredibilitet të lartë të thirrur nga mbrojtja kanë sfiduar në mënyrë substanciale dhe të argumentuar secilën prej pikave kyçe të aktakuzës, duke dobësuar ndjeshëm narrativën e Prokurorisë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, në këto rrethana, standardi i kërkuar në drejtësinë penale ndërkombëtare nuk është përmbushur.
“Në këto rrethana, në një standard të drejtësisë penale ndërkombëtare, ku kërkohet provë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, një vendim fajësie do të ishte i paqëndrueshëm juridikisht”, ka shtuar Qerkini për FrontOnline.
Duke folur për afatin e 19 majit, ai ka sqaruar se kjo datë nuk nënkupton domosdoshmërisht shpalljen e vendimit përfundimtar dhe se ekziston mundësia e shtyrjes.
“Sa i përket afatit të 19 majit, duhet sqaruar se ky nuk përbën domosdoshmërisht datën e shpalljes së vendimit. Rregullat procedurale të Dhomave të Specializuara parashohin mundësinë që trupi gjykues të kërkojë një shtyrje shtesë, zakonisht deri në dy muaj, për finalizimin e vendimit. Aktualisht, nuk ka transparencë publike nëse një kërkesë e tillë është bërë apo miratuar nga Kryetarja e Gjykatës, prandaj mbetet e hapur mundësia që shpallja e verdiktit të shtyhet edhe më tej”, ka përfunduar ai.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, për FrontOnline ka folur për afatin e 19 majit si datë e fundit për vendimin e Gjykatës Speciale në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke shprehur pritshmëri të forta për një aktgjykim lirues.
Ai ka theksuar se beson fuqishëm që të akuzuarit do të shpallen të pafajshëm dhe do të kthehen pranë familjeve të tyre, ndërsa ka shtuar se edhe vendi ka nevojë për ta.
“Unë besoj dhe fuqishëm se ata me 19 maj të lirohen të pafajshëm dhe kështu besojnë gjithë shqiptarët që ata me ardhë në gjirin familjar dhe të dashamirëve dhe ka nevojë edhe Kosova për ta. Nuk e besoj se shtyhet afati, por asaj gjykate nuk i besohet asgjë dhe ky proces është stërzgjatur. Uroj të mos zgjatet tutje dhe uroj të jetë vendim i drejt e në anën tonë dhe ne kemi luftuar për vendin tonë dhe besoj fuqishëm që ata të lirohen me 19 maj”, ka deklaruar Gucati
Avokati Arbër Jashari, ka komentuar afatin e 19 majit si datë e fundit për shpalljen e vendimit nga Gjykata Speciale në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke vlerësuar se procesi është zvarritur tej mase dhe se vendimi nuk duhet të vonohet më tej.
Ai ka theksuar se gjykata nuk do ta shtyjë më këtë afat, ndërsa ka shprehur pritshmëri për një aktgjykim lirues, duke argumentuar se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë akuzat gjatë procesit gjyqësor.
“Mendoj se Specialja nuk ishte dashur të pritet as afati i 19 majit për arsye se ky rast është zvarritur dhe prolongu shumë po thuajse që pesë vite dhe ish dashtë me fillu me një urgjencë të madhe dhe mos me pritë as afatin e fundit këtë afatin fillestar prej 3 muajsh. Gjykata nuk do e shtyjë këtë afat edhe nëse ligji ia lejon dhe unë pres që gjykimi të jetë lirues sepse Prokuroria nuk ka arritur të i vërtetoj akuzat dhe mendoj se prokuroria nuk ka sjellur prova të mjaftueshme dhe nuk janë vërtetuar gjatë procesit gjyqësor”, ka deklaruar Jashari për FrontOnline.
Megjithatë, ai ka theksuar se rezultati përfundimtar mbetet i paparashikueshëm, duke pasur parasysh natyrën e procesit gjyqësor dhe faktin që një pjesë e seancave kanë qenë të mbyllura.
“Jemi në një proces gjyqësor dhe mund të them se kur jesh në një proces gjyqësor e ardhmja është e paparashikueshme dhe gjykata ka mundur të jetë bindje tjetër dhe mund që vendimi të jetë ndryshe nga ai që presim ne, sepse seancat kanë qenë të mbyllura, por nga ajo që kemi parë dhe dëgjuar, aktgjykimi lirues do të ishte më i drejti”, ka shtuar ai.
Ish-kreu i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, për FrontOnline ka komentuar afatin e 19 majit si datë e fundit për shpalljen e vendimit nga Gjykata Speciale në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se ekziston mundësia e shtyrjes së verdiktit, por edhe duke shprehur rezervat e tij për mënyrën e trajtimit të provave dhe ndikimin e politikës në këtë proces.
Sipas tij, çdo shtyrje e mundshme duhet të kalojë përmes procedurave përkatëse, ndërsa vlerëson se gjykata ka pasur kohë të mjaftueshme për të marrë një vendim.
“Po mundet që verdikti final të shtyhet, por duhet që Gjykata Speciale të ia dorëzoi kërkesën Trendafilovës dhe ajo me vendos, por unë mendoj se kjo gjykatë ka pasur kohë të mjaftueshme për me marr një vendim të tillë nga kolegji që po e gjykon këtë rast”, ka deklaruar Shala për FrontOnline.
Ai ka shtuar se vendimi mbetet i paparashikueshëm dhe, sipas tij, mund të ndikohet edhe nga zhvillimet politike.
“Shumë është e paprashikueshëm vendimi ngase varet edhe nga politika dhe unë mendoj se kjo gjykatë është politizuar dhe se për këtë arsye se si të ndikoj politika, ashtu edhe ata vendosin”, ka thënë ai.
Duke folur për provat në këtë proces, Shala ka shprehur qëndrimin e tij kritik, veçanërisht për ato që, sipas tij, kanë ardhur nga Serbia.
“Personalisht sa më përket mua, unë besoj se s’kanë prova për gjykim dhe nëse kolegji gjykues vendos me i vlerësu provat që kanë ardhur nga Serbia atëherë dhe pajtohen me ato prova, por konsideroj se nuk ishte dashur të merreshin ato prova nga Serbia. Nëse ato prova vlerësohen, duhet pritur edhe dënimin e tyre. Unë konsideroj se nuk ka prova për akuza dhe se ata duhet të lirohen qysh ditën kur shpallet verdikti final”, tha Shala