Çfarë pritet nga këto zgjedhje?
Vëzhguesit e zhvillimeve politike parashohin tre skenarë të mundshëm nga këto zgjedhje: përqendrim i pushtetit te Lëvizja Vetëvendosje, kompromis i detyruar politik, ose vazhdim i krizës me rrezik për zgjedhje të reja. Paqëndrueshmëria institucionale, sipas tyre, rrezikon të ngadalësojë integrimin në Bashkim Evropian, të kufizojë fondet dhe investimet, si dhe të dobësojë mbështetjen nga BE-ja…
Lajme
Vëzhguesit e zhvillimeve politike parashohin tre skenarë të mundshëm nga këto zgjedhje: përqendrim i pushtetit te Lëvizja Vetëvendosje, kompromis i detyruar politik, ose vazhdim i krizës me rrezik për zgjedhje të reja.
Paqëndrueshmëria institucionale, sipas tyre, rrezikon të ngadalësojë integrimin në Bashkim Evropian, të kufizojë fondet dhe investimet, si dhe të dobësojë mbështetjen nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.
Agon Maliqi paralajmëroi për Radion Evropa e Lirë të premten se Kosova rrezikon të rrëshqasë drejt një modeli si në Shqipëri apo në Serbi, ku pushteti përqendrohet te një lider që kontrollon gjithçka, përballë alternativës së një sistemi që imponon bashkëpunim dhe ruan balancat demokratike.
“Personalisht, besoj se do të duhej një rezultat më i përafërt me atë të zgjedhjeve të shkurtit, i cili imponon konesnsus jo vetëm për presidentin, por edhe për qeverinë, sepse sistemin politik e kemi të tillë – ai e bën të vështirë ose të pamundur që një parti të kontrollojë gjithçka”, tha Maliqi për programin Expose të REL-it.
Analisti Artan Muhaxhiri argumentoi se gjendja është fryt i një “klase politike të papërgjegjshme”, e cila, siç thotë, vepron në shpërputhje me nevojat e qytetarëve.
Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te shpeshtësia e zgjedhjeve, por edhe te mungesa e kulturës së kompromisit dhe funksionalitetit institucional.
Zgjedhjet e sotme janë të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.
Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave – shumicën më të madhe në Kosovën shtet – nuk sollën marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo çoi automatikisht në shpërndarjen e Kuvendit mesnatën e 28 prillit – vetëm dy muaj e gjysmë pas konstituimit të tij – dhe dy ditë më vonë ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shpalli zgjedhjet e reja.