Çfarë pas kërkesës së presidentes në Kushtetuese?
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, konsideron se autoriteti më i lartë kushtetues i vendit nuk do ta shqyrtojë kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për një masë të përkohshme lidhur me afatin 30 ditor për konstituimin e Kuvendit. Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, profesori Kryeziu e cilësoi të vonuar kërkesën…

Lajme
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, konsideron se autoriteti më i lartë kushtetues i vendit nuk do ta shqyrtojë kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për një masë të përkohshme lidhur me afatin 30 ditor për konstituimin e Kuvendit.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, profesori Kryeziu e cilësoi të vonuar kërkesën e Osmanit për sqarim të aktgjykimit të Kushtetueses.
Sipas tij, presidentja e Kosovës është dashur, disa ditë pas shpalljes së vendimit, t’i kërkojë Gjykatës sqarime se si të veprohet pas datës 26 korrik, në rast të moskonsituimit të institucionit ligjvënës të vendit.
Kryeziu komentoi edhe se çfarë mund të ndodhë pas skadimit të 30- ditëshit – a iu merren deputetëve mandatet, a zëvendësohen deputetët apo shkohet në zgjedhje të reja.
“Unë i kam rekomandu Presidentes që kur është shpallur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në ditët e para, është dashur të bëj një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për sqarimin e aktgjykimit se çka nënkupton pas 30 dite. I vetmi autoritet legjitim legal është presidentja, e cila ka të drejtë kushtetuese që t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme. Presidentja është dashur që të bëj vetëm një kërkesë se si të veproj pas datës 26 korrik”, ka thënë Kryeziu.
Kërkesën e Presidentës për masë të përkohshme, Kryeziu e ka konsideruar si antikushtetuese.
“Nuk merr Gjykata masë të përkohshme ndaj vendimeve të veta, asolutisht sepse atëherë e degradon profesionin dhe profesionalizmin edhe institucionin. Kjo nuk ka logjik. Unë e konsideroj se Gjykata nuk do ta shqyrtoj fare këtë kërkesë. Sipas meje, Presidentja e shtetit duhet ta ngris vigjilencën dhe të jetë në krye të detyrës, për shkak se e vetmja autoritet zyrtar i shtetit është që ka legjitimitet dhe legalitet të plotë për funksionim. Ajo duhet të bashkëpunoj me Gjykatën Kushtetuese, KQZ-në dhe Prokurorinë Speciale sepse veç tjerave moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nënkupton shkelje të rendit kushtetues, juridik dhe demokratik të vendit, respektivisht është vepër penale ndëshkuese”, ka shtuar Kryeziu.
Presidentja e Kosovës tha të martën se kërkesa në Kushtetuese “në esencë është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”.
Sipas saj, qëllimi është që të sqarohet situata e moskonstituimit brenda afati, por edhe se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve, që është Kuvendi.
Osmani tha, po ashtu, se “kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund, dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të konstituoheshin në një mënyrë jokzushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme”. REL