​Çfarë parasheh fletëpalosja për udhërrëfyesit turistikë që nxiti reagime në Serbi?

Një fletëpalosje informuese e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Repubikës së Kosovës, e shpërndarë në versionet e gjuhës serbe dhe angleze, ka nxitur reagime të rrepta në Beograd lidhur me zbatimin e Ligjit për Turizmin, nga 1 gushti. Në këtë dokument thuhet, pos tjerash se çdo person që ushtron veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik në…

Lajme

30/07/2026 12:36

Një fletëpalosje informuese e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Repubikës së Kosovës, e shpërndarë në versionet e gjuhës serbe dhe angleze, ka nxitur reagime të rrepta në Beograd lidhur me zbatimin e Ligjit për Turizmin, nga 1 gushti.

Në këtë dokument thuhet, pos tjerash se çdo person që ushtron veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik në territorin e Republikës së Kosovës dhe udhëheq grupe të organizuara turistike duhet të jetë i pajisur me licencë të vlefshme të lëshuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Në fakt, fletëpalosja nuk ndalon veprimtarinë e udhërrëfyesve të huaj, por rikujton detyrimet që burojnë nga Ligji nr. 08/L-074 për Turizmin dhe aktet nënligjore përkatëse, të cilat rregullojnë ushtrimin e profesionit të udhërrëfyesit turistik në Kosovë.

Dokumenti thekson gjithashtu se gjatë ushtrimit të profesionit, udhërrëfyesi është i obliguar të mbajë të ekspozuar kartelën identifikuese (licencën) dhe të ofrojë shërbime vetëm në fushën për të cilën është licencuar.

Pjesa që ka tërhequr më shumë vëmendje dhe për të cilën janë shqetësuar autoritetet fetare dhe ato politike në Serbi, ka të bëjë me udhërrëfyesit e huaj. Në fletëpalosje thuhet se grupet e organizuara që hyjnë në Kosovë të shoqëruara nga një udhërrëfyes i huaj, i cili nuk posedon licencë të lëshuar sipas legjislacionit të Kosovës, duhet gjatë gjithë qëndrimit të tyre të shoqërohen edhe nga një udhërrëfyes vendor i licencuar.

Këtu përfshihen udhërrëfyesit që mund të vijnë me grupet e pelegrinëve për vizita fetare e “spirituale” në Kosovë.

Edhe Dioqeza Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe ka reaguar, përmes disa postimeve në rrejte sociale, ndaj masave të reja që lidhen me vizitat e organizuara në objektet fetare, pasi, sipas saj, grupet e pelegrinëve kanë marrë nga Policia e Kosovës fletushka që njoftojnë për zbatimin e Ligjit për Turizmin nga 1 gushti.

Në një reagim të saj, Dioqeza thekson se udhëtimet fetare të pelegrinëve nuk mund të barazohen me turizmin komercial.

Sipas saj, manastiret e Kishës Ortodokse Serbe janë “faltore të gjalla”, ku besimtarët shkojnë për lutje dhe shërbesa fetare, e jo si turistë.

Dioqeza ka bërë thirrje që çdo zbatim i mundshëm i dispozitave të Ligjit për Turizmin të bëhet duke respektuar plotësisht lirinë e besimit dhe të drejtën e pelegrinëve për qasje të papenguar në objektet fetare.

Në fund, ajo rikujtoi se këto të drejta janë të garantuara me legjislacionin e Kosovës dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

Një ditë më parë, për këtë reagoi edhe kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, që ka akuzuar autoritetet në Kosovë se, përmes masave të ligjit për Turizmin, që sipas tij pritet të hyjnë në fuqi më 1 gusht, po synojnë “shuarjen e identitetit serb” në Kosovë.

Vuçeviq, i cili është edhe këshilltar i presidentit të Serbisë për çështjet rajonale, tha se masat e paralajmëruara nga institucionet e Kosovës paraqesin një “përpjekje të hapur për zhdukjen e emrit dhe identitetit serb në Kosovë”.

Në një reagim të publikuar në Instagram, ai kundërshtoi edhe idenë që pelegrinëve serbë t’u ofrohen udhërrëfyes në manastiret e Deçanit, Graçanicës dhe Patriarkanës së Pejës, duke pretenduar se ata do të promovonin, sipas tij, “teorinë e trashëgimisë shqiptare”.

Ai e cilësoi këtë si “falsifikim historik” dhe “përpjekje për të përvetësuar atë që është ndërtuar nga mbretërit dhe perandorët serbë dhe ruajtur nga murgjit serbë ndër shekuj”.