Çfarë ndodhi me klinikën e ish-deputetit të Vetëvendosjes me seli në Mitrovicë? Inspektorati Sanitar fillimisht ia mbylli klinikën, tani ndryshon vendimi

Problemet sanitare e të cilat lidhen me higjienën, objektin apo edhe shumë çka tjetër janë shpesh shkaktarët e mbylljeve të ordinancave mjekësorë apo bizneseve të ndryshme. Në disa prej tyre, problemi bëhet edhe më i thellë- kur stafit përgjegjës e trajtues u mungojnë edhe diplomat e përvoja. E probleme të tilla, nuk iu kanë “ikur”…

Lajme

02/06/2025 20:21

Problemet sanitare e të cilat lidhen me higjienën, objektin apo edhe shumë çka tjetër janë shpesh shkaktarët e mbylljeve të ordinancave mjekësorë apo bizneseve të ndryshme.

Në disa prej tyre, problemi bëhet edhe më i thellë- kur stafit përgjegjës e trajtues u mungojnë edhe diplomat e përvoja.

E probleme të tilla, nuk iu kanë “ikur” nga sytë inspektorëve sanitarë as në klinikën e ish deputetit të Vetëvendosjes, Fitim Ukës në Mitrovicë.

Klinika që ai udhëheq si bashkëpronar me dy persona të tjerë, “Empatia Mitrovcië” kryente shërbime të psikoterapisë, këshillimit dhe shërbime tjera psikologjike, por pika e tyre në Mitrovicë është mbyllur nga Inspektorati Sanitar më 15 prill të këtij viti, ndërsa tek sot më 2 qershor, asaj i është dhënë Pëlqimi Sanitar.

E sipas një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për lajmi.net thuhej se objekti nuk i plotësonte kushtet sanitare për ushtrimin e veprimtarisë, sipas Ligjit për Inspektoratin Sanitar të Kosovës nr.2003/22.

“Kontrolla sanitare është bërë me kërkesën zyrtare të parashtruar nga vet përfaqësuesi i subjektit afarist Klinika Empatia 02 Mitrovicë Sh.p.k , pasi që pëlqimi sanitar i duhej për vazhdimin e procedurave të mëtutjeshme”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë për lajmi.net.

Nga Inspektorati Sanitar, kanë thënë për lajmi.net se ata kanë konstatuar se ky objekt nuk i plotëson të gjitha kushtet teknike sanitare sipas legjislacionit në fuqi për marrjen e Pëlqimit Sanitar dhe sipas procedurës e kanë bërë refuzimin e Pëlqimit Sanitar.

“Pala ka bërë ankesë në Inspektoratin Sanitar, Inspektorati Sanitar ka formuar një ekip tjetër për rishikimin e kushteve. Ekipi e Inspektorëve Sanitar kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë dhënë urdhëresat për përmirësimin e kushteve. Pala pasi t’i plotëson kushtet sipas urdhëresës  duhet të aplikoj përsëri në sistemin FCMS për të marr Pëlqimin Sanitar nëse janë plotësuar kushtet sipas legjislacionit në fuqi”, kanë thënë për lajmi.net nga Inspektorati Sanitar.

Në vendimet e Inspektoratit Sanitar të siguruara për lajmi.net, thuhet se ky objekt nuk kishte as dritare në zyrat e stafit si dhe nuk kishte ventilim as natyral e artificial.

“Objekti në të cilin ushtrohet veprimtaria afariste është në katin përdhese të ndërtesës për banim kolektiv, hapësirat e brendshme në shfrytëzim nga subjekti afarist nuk janë të përshtatshme për zhvillim biznesor. Objektet nuk i plotësojnë kushtet sanitare në përputhje me projektin e miratuar dhe me destinimin, për të cilin ato janë ngritur.  Koridoret e subjektit afarist janë të ngushta dhe pengon frekuentimin normal të pacientëve/palëve dhe personelit gjithashtu nuk kanë ventilim natyral dhe artificial. Dyert e dhomave të punës për psikolog, logoped, ergoterapeuti, etj nuk hapen dhe mbyllen në mënyrë të duhur. Në dhomat/hapësirat ku zhvillohen aktivitetet biznesore me palë/pacientët dhe personel nuk kanë lavaman dhe nuk kanë të instaluar ujin e pijes. Janë hasur 3 dhoma/hapësira pune ku nuk ka dritare që pamundëson ventilimin natyral dhe artificial. Në dhomat/hapësirat e punës nuk ka pasur fare shporta për mbeturina. Në hapësirat e brendshme të objektit ka qenë vetëm një nyje sanitare brenda të cilës kemi hasur rafte për mbathje dhe mbathje të ndryshme, e cila nuk plotëson kërkesat apo nevojat për palë/pacient dhe personel. Duke pasur parasysh frekuentimin e pacientëve/ klientëve, palëve, personelit nuk është adekuat numri i nyjeve sanitare. Nuk është prezantuar dëshmi për kryerjen e D.D.D-së obligative”, thuhet në arsyetimin e vendimit për mbylljen e klinikës “Empatia” në Mitrovicë.

Inspektimi është realizuar më 11 prill të 2025-ës ndërkaq vetëm 4 ditë më vonë është marrë vendimi për ta mbyllur atë.

Në lidhje me këtë vendim marrë nga Inspektorati Sanitar, Klinika Empatia në Mitrovicë kanë thënë se kanë paraqitur ankesë në shkallën e dytë dhe sipas tyre, shkalla e dytë ka marrë vendim pozitiv në lidhje me ankesën e tyre.

“Pas një inspektimi nga inspektorati sanitar në shkallën e parë, u rekomanduan disa ndryshime në ambientin e klinikës sonë. Megjithatë, duke konsideruar se klinika jonë i përmbushte kushtet e nevojshme për funksionim, ne kemi paraqitur ankesë në shkallën e dytë. Ju njoftojmë se inspektorati sanitar në shkallën e dytë ka marrë një vendim pozitiv në lidhje me ankesën tonë, duke dhënë pëlqimin për përmbushjen e kushteve sanitare”, kanë thënë nga Klinika Empatia në Mitrovicë për lajmi.net.

Në vendimin e lëshuar sot nga Inspektorati Sanitar për Pëlqim Sanitar, të cilin e ka siguruar nga lajmi.net, thuhet se Klinikës Empatia 02 Mitrovicë i jepet Pëlqimi Sanitar pasi i plotëson kushtet minimale higjieno dhe tekniko sanitare për zhvillim të veprimtarisë.

Për klinikën me emrin e njëjtë dhe me njërin nga pronarët e njëjtë, ish-deputetin Uka, por që ndodhet në Prishtinë në mars të këtij viti, një prind pati denoncuar “papërgjegjshmërinë” e stafit pas një incidenti që prindi thotë se ka ndodhur gjatë seancës së vajzës së tyre.

Siç ka thënë nëna e Narës, (fëmijës që është raportuar se ka pësuar incident), Nara ka pësuar një lëndim në kokë, por që fatmirësisht ka përfunduar pa dëmtime serioze.

Në lidhje me këtë rast, pati reaguar edhe vetë Uka përmes një postimi të gjatë në Facebook, duke mohuar “akuzat” që i ka bërë prindi i lartpërmendur.

“Kushdo që i takon fushës së psikologjisë, e ka të qartë që seancat terapeutike, seancat e stimulimit apo të terapisë së sjelljes janë komplekse dhe mjaft të ndjeshme. Ndodh që në seanca terapeutike ndaj terapistëve të ketë goditje dhe gërvishtje. Në rastet e veçanta fëmijët tregojnë sjellje të cilat janë impulsive, ndonjëherë lëvizje të pakontrolluara. Në rastet kur fëmijët kanë tantrume, edhe mund të hidhen me trup në dysheme apo edhe të qajnë për kohë të gjatë për t’iu plotësuar një dëshirë apo për t’iu dhënë vëmendje. Natyrshëm, ka një shpjegim pse ndodh kjo, por ka pak rëndësi aktualisht, sepse nuk dua të lëshohem në asnjë mënyrë në etiologjinë e rastit dhe as supozime e hamendësime gjenerike (po operoj vetëm me atë që është deklaruar me vullnet të prindërve publikisht). Besoj, secili profesionist e ka të qartë për çka po flas.
Sidoqoftë, siç më është raportuar nga terapistja dhe administrata, ka ndodhur që në një moment të seancës, për shkak të pamundësisë së fëmijës për të realizuar kërkesën e aktivitetit, fëmija të ketë një tantrum (me të qara dhe të bërtitura) dhe të hidhet duke e lënduar kokën. Kjo nuk është hera e parë, por është më pak e shprehur sjellja e tillë në krahasim me seancat e para, pra në drejtim të duhur për t’u reduktuar. Tantrumet kanë ndodhur edhe në prani të prindërve. Terapia është e dizajnuar për të reduktuar tantrumet mes tjerash dhe për këtë është realizuar një plan veprimi dhe po punohet me ndjeshmëri. Sipas terapistes, tantrumet me të qara kanë filluar kur aktiviteti ka nisur të vështirësohet dhe kjo është shoqëruar me goditjen e kokës që ka ndodhur në 15 minutat e fundit të seancës.
Terapistja e ka ofruar kujdesin e duhur, ka ofruar mbështetje, nuk ka parë fillimisht shenja të dallueshme në kokë dhe ka konsideruar se lëndimi nuk është i rëndë, ka ofruar instruksionet e duhura dhe seanca vazhdon edhe për pak minuta pa vajin e vajzës. Terapistja e vazhdon ndërveprimin thjesht për të mos e shpërblyer tantrumin, që mund të kthehet në një problem edhe më të madh. E dimë saktë, që në rast të shpërblimit të sjelljes së papërshtatshme, tantrumi i radhës mund të jetë edhe më i vrazhdë, përpjekja për të arritur qëllimin edhe më konsistente dhe më e rrezikshme. Pra, në qendër është fëmija dhe përpjekja është për të mirën e saj”, ka shkruar Uka në një pjesë të postimit të tij.
Postimi i plotë:

Fitim Uka ishte deputetë i Lëvizjes Vetëvendosje në legjislaturën e shtatë ndërsa në dhjetor të 2024-ës, ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si deputet duke thënë se është fundi i karrierës së tij politike.

“Po ndahem nga politika, po ua liroj këtë rrugë dhe do të vazhdoj me pasionin tim të kahershëm dhe të përhershëm, psikologjinë, si dhe me obligimin më kuptimplotë, që është mësimdhënia”, pati shkruar Uka kur tregoi se dha dorëheqje nga politika. /Lajmi.net/