Çfarë mund të presim nga Konferenca e Sigurisë në Munih?
Këtë fundjavë, e gjithë vëmendja do të jetë e drejtuar nga jugu i Gjermanisë, ku liderët botërorë do të mblidhen në hotelin Bayerischer Hof për Konferencën treditore të Sigurisë në Munih. Dhe përderisa do të ketë bollëk deklaratash zyrtare dhe diskutimesh në nivele të larta, ato që cilësohen si bisedimet më të rëndësishme – për…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2025/02/Screenshot-2025-02-13-125617.png)
Lajme
Këtë fundjavë, e gjithë vëmendja do të jetë e drejtuar nga jugu i Gjermanisë, ku liderët botërorë do të mblidhen në hotelin Bayerischer Hof për Konferencën treditore të Sigurisë në Munih.
Dhe përderisa do të ketë bollëk deklaratash zyrtare dhe diskutimesh në nivele të larta, ato që cilësohen si bisedimet më të rëndësishme – për të ardhmen e Ukrainës – do të zhvillohen në prapaskenë.
Shumë nga diskutimet e ditëve të fundit lidhur me konferencën janë përqendruar tek ajo se a do ta paraqesë një plan paqeje të shumëpritur i dërguari i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg.
Kellogg i tha agjencisë AP se Shtëpia e Bardhë po merret me detajet e çdo negociate të mundshme.
“Kur të kthehemi nga Munihu, duam t’ia dorëzojmë presidentit opsionet, në mënyrë që kur ai të përfshihet drejtpërdrejt në procesin e paqes, ta dijë se si do të duket kjo gjë për të”, tha Kellogg.
Bisedimet po marrin formë
Ajo që ka më shumë gjasa të ndodhë, sipas një diplomati evropian që foli për Radion Evropa e Lirë, është që në Munih të shfaqen “disa linja të përgjithshme ose ide të një marrëveshjeje”, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kreu i kabinetit të tij, Andriy Yermak, pritet të takohen me Kelloggun dhe nënpresidentin e SHBA-së, J. D. Vance.
Gjithashtu, mund të ketë takime edhe mes përfaqësuesve ukrainas dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si dhe sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të cilët do të marrin pjesë në konferencë. Për më tepër, disa liderë evropianë kanë shprehur interesim të madh për të diskutuar lidhur me luftën në atë që pritet të jetë një fundjavë e Shën Valentinit e mbushur me diplomaci intensive.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të dalë nga këto bisedime, por, sipas spekulimeve të diplomatëve, mund të ketë një ngrirje të konfliktit, përmes së cilës Kievi do ta pranonte humbjen e përkohshme të disa territoreve ndaj Rusisë në këmbim të disa garancive të sigurisë.
Ndërkohë që anëtarësimi i menjëhershëm i Ukrainës në NATO është mohuar nga zyrtarët e aleancës me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë, rritja e dërgesave të armëve perëndimore në Kiev shihet si një mundësi më reale.
Kellogg ka folur më parë për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Ukrainë në një moment të ardhshëm, diçka që lejohet nga Kushtetuta e Ukrainës për sa kohë që është në fuqi ligji ushtarak. Së fundi, Trumpi ka sugjeruar mundësinë që Shtetet e Bashkuara të kenë qasje në depozitat e mineraleve të rralla të Ukrainës “si kompensim për qindra miliarda dollarë që janë shpenzuar për të ndihmuar Kievin të rezistojë kundër pushtimit të plotë të Rusisë”.
Çështja që mbetet ende për t’u parë është se sa e interesuar është Rusia për të arritur një marrëveshje me zyrtarët perëndimorë. Ndërsa Rusia është e hapur për të biseduar me Shtetet e Bashkuara, Moska mund të mos jetë e gatshme të bëjë kompromise tani, pasi perceptohet se ka avantazhin në luftime.
Afati për pengjet në Gazë
Përtej Ukrainës, shumë liderë në Munih do ta kenë vëmendjen e tyre në Gazë, pasi afati për lirimin e pengjeve izraelite nga Hamasi përfundon në mesditën e 15 shkurtit – pikërisht në mes të konferencës. Trumpi ka paralajmëruar më parë se “të gjitha opsionet janë të hapura dhe le të shpërthejë ferri” nëse ato nuk lirohen.
Zgjedhjet parlamentare gjermane, të cilat do të zhvillohen vetëm një javë pas konferencës së sigurisë, gjithashtu do të ofrojnë një sfond interesant. Kancelari aktual, Olaf Scholz, dhe pasardhësi i tij më i mundshëm, Friedrich Merz, do të jenë të pranishëm në takimet me personalitete të huaja në Bavari.
Dhe, përderisa mund të shkëmbejnë kritika elektorale në konferencë, rezultati më i mundshëm pas zgjedhjeve është një koalicion i madh mes partive të tyre përkatëse.
Partia antiemigrante dhe proruse, Alternativa për Gjermaninë, e cila pritet të dalë e dyta në zgjedhje, nuk është e ftuar në konferencë, ashtu si dhe Aleanca Sahra Wagenknecht, një parti populiste e majtë me qëndrime të ngjashme, e cila pritet të hyjë për herë të parë në Bundestag. Së bashku, ato pritet të marrin më shumë se një të katërtën e votave, ndërsa erërat e populizmit vazhdojnë të fryjnë edhe në Gjermani. REL