Çfarë do të ketë protesta për deklaratat e ministrave të Kurtit dhe arrestimin e ish ushtarit të UÇK-së?
Deklarime të njëpasnjëshme pati së fundi kundër UÇK-së dhe arrestimit të një ish pjesëtari të saj.

Lajme
E të gjitha këto deklarime bën që Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së të organizojë një protestë e cila pritet të mbahet më 12 qershor, saktësisht ditën e shtunë.
12 qershori ndryshe njihet edhe si Dita e Çlirimit në Kosovë, e kjo ditë ka një vlerë të veçantë për të gjithë.
Vendimi për protestë u morë ditë më parë pas një mbledhje të OVL-UÇK-së, pas arrestimit që iu bë ish-kryetarit të kësaj organizate, Faik Fazliu.
Madje në njoftimin e bërë për këtë protestë u theksua se institucionet e Kosovës kanë dalë hapur jashtë vlerave kombëtare.
“Kohë më parë, vërehet tendencë e akuzave ndaj krerëve të UÇK-së, që nga Kryeministri Kurti, Ministrja e Jashtme Gërvalla-Schwarz, e tani Ministri i Brendshëm Sveçla;Rasti i arrestimit dhe dhunës së ushtruar ndaj Faik Fazliut, nuk duhet të trajtohet vetëm nga OVL e UÇK-së, por edhe nga partitë, e si çështje t’i mbetet organeve të drejtësisë dhe ne e respektojmë çdo vendim të tyre”, thuhej në njoftim.
Lidhur me gjithë këtë, lajmi.net ka kontaktuar u.d së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.
“Ne se kemi ende të paraparë se sa do të jetë numri i njerëzve të cilët do të marrin pjesë, mbetet të shihet të shtunën ku njerëzit do ta kenë mundësinë të dalin e të nënshkruhen aty”, tha Klinaku.
Por që sipas tij nuk mund të parashikohet saktësisht numri i protestuesve.
Klinaku gjithashtu mohoi të jetë kërkuar dorëheqja e ministres Gërvalla. Madje tha se një gjë e tillë nuk është kërkuar nga këta të fundit.
“Jo, ne nuk kemi kërkuar. Ne e kemi thirrur protestën e dihet për çka. Ka të bëjë me zhvillimet e fundit dhe përkrahjen drejtuar ish-krerëve të UÇK-së të cilët janë në Hagë. Është për shkak të thirrjeve të vazhdueshme kundër UÇK-së e përkrahjen që duhet me ua dhanë shokëve tanë që janë në burgje dhe është Dita e Çlirimit”, tha ai.
Klinaku tha se ata që e fyejnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ata njerëz nuk ia dinë rëndësinë lirisë.
“Thirrjet dhe fyerje te vazhdueshme po bëhen nga ata që s’ia dinë rëndësinë e lirisë. Ata që e bëjnë këtë nuk e kanë mësuar rëndësinë e lirisë”, shtoi ai.
Duhet përkujtuar që së fundi komente të shumta u bënë në kuadër të deklaratave të dhëna më parë nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla e që lidheshin me ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Ministrja Gërvalla kohë më parë kishte thënë se do të ndihmonte me materiale sapo të formohej Gjykata Speciale kundër, siç thoshte ajo, “kokave të organizatës kriminale Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”./Lajmi.net/