Çfarë deklaruan në Gjykatë të dyshuarit për vrasjen e policit, Muhamed Lika?

Gjykata Themelore në Ferizaj, të martën më 22 prill, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç) të pandehurve Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkelqim Kuka, dhe Diamant Gashi, nën dyshimin për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika…

Lajme

23/04/2025 21:03

Gjykata Themelore në Ferizaj, të martën më 22 prill, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç) të pandehurve Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkelqim Kuka, dhe Diamant Gashi, nën dyshimin për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika më 1 prill në Kaçanik.

Në vendimin e Gjykatës, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se seancën dëgjimore, prokurori Ismet Rrahmani ka mbetur në tërësi pranë kërkesës së paraqitur për caktimin e masës së paraburgimit. Ka deklaruar se dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen, rezulton nga provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Si ndodhi ngjarja?

Sipas prokurorit, nga provat vërtetohet se më 1 prill 2025, rreth orës 23:00 në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e dytë të hyrjes së ndërtesës, në bashkëveprim, me dashje dhe përgatitje paraprake, të dyshuarit kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin Muhamed Lika, me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik. Ai tha se rreshteri Lika pas përfundimit të orarit të punës, rrugës për në banesën e tij, ka lëvizur drejt vendbanimit të tij, ndërsa i pandehuri Haki Bela pasi që kishte qëndruar në lokalin e tij “Aksa”, dhe prej aty niset për në drejtim të Stacionit Policor, ku në ora (22:53), përballë-kalohet me viktimën, e pastaj viktima vazhdon në drejtim të banesës, ndërsa i pandehuri Haki vazhdon në drejtim të rugës “UÇK” për 20 metra dhe më pastaj pas 30 sekondave kthehet në drejtim të viktimës.

Gjithnjë sipas vendimit, prokurori theksoi se në vazhdim të pandehurit Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika në rrugë vëzhgojnë rrugëtimin e viktimës, ku nga vetura “Opel Astra” me vozitës Kukën dhe pasagjer Edmond Likën, me të kaluar viktima për rreth veturës në drejtim të banesës së tij, nga vetura del pasagjeri Lika dhe hip në veturën e tij “Golf 2”, duke vozitur me drita të fikura dhe duke vazhduar në rrugën njëdrejtimshe, duke përcjellë viktimën në drejtim kah ka lëvizur.

Prokurori Rrahmani shtoi se vetura “Opel Astra” nga ky moment merr veprimin dhe vazhdon duke shkuar afër vendit të ngjarjes, ku viktima vazhdon rrugëtimin, pastaj në rrugën “Idriz Seferi” afër hyrjes së banesës së tij, ku i mituri R.B., nga pamjet e kamerave të sigurisë vazhdon duke e përcjellë viktimën duke ecur rreth 15-20 metra mbrapa viktimës, më pas hyn në hyrjen e banesës së tij dhe menjëherë pas viktimës i mituri R.B., hyn pas tij në hyrjen e objektit të banesës.

Më tej, prokurori tha se në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra, viktima Lika u dërgua në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik, ku nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve nga predhat e armës së zjarrit.

Pastaj rreth orës 22:58, u tha se nga kamerat e sigurisë vërehet i mituri duke u kthyer me vrap mbrapa nga kishte ardhur pas kryerjes së vrasjes duke ikur në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku bashkohet me të pandehurin Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi”. Paraprakisht, nga pamjet e kamerave vërehet i mituri R.B., së bashku me të pandehurit Rilind Murati dhe Vatan Çaka dhe lëvizjet e të pandehurve tjerë, ndërsa pas vrasjes i pandehuri Diamant ka ndihmuar të miturin të largohet nga vendi i ngjarjes kurse i pandehuri Haki Bela rreth 14 minuta mbrapa vrasjes vjen në vendin e ngjarjes, ndërsa pas 2 minutave largohet.

Çfarë deklaruan në Gjykatë të dyshuarit për vrasjen e policit, Muhamed Lika?

I dyshuari Haki Bela para gjykatës ka deklaruar se e përshëndet familjen e viktimës Muhamet Lika dhe ndien keqardhje për rastin, duke thënë se mund të ndodh diçka mes familjes së tij dhe familjes së të ndjerit.

“Shton se është plotësisht i pafajshëm në lidhje me këtë çështje penale dhe i vetmi fakt është që ai e ka lokalin në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ata rreth 200 metra distancë, po ashtu shton se shtëpia ku ai banon me stacionin policor ne Kaçanik i kanë rreth 100 metra distancë, dhe se ai e frekuenton çdo ditë atë rrugë”, thuhet në aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit.

I dyshuari Bela ishte shprehur se ai personalisht e as familja e tij asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë problem me të ndjerin apo me familjen e tij, duke kërkuar që t’i caktohet një masë tjetër e sigurisë pasi është mbajtës i familjes.

Kurse, avokati i tij me autoizim- Urim Bajraktari, në seancë ka thënë se e kundërshtojnë caktimin e masës së paraburgimit pasi nuk është përmbushur kushti bazik. Sipas tij, pretendimi i prokurorit të shtetit që në mes të pandehurit ka ekzistuar një përgatitje paraprake nuk është i bazuar dhe se këtë pretendim e paraqet vetëm në mënyrë deklarative, pa e mbështetur në prova dhe dëshmi.

“Sa i përket pretendimeve që në bazë të video-incizimeve kinse është parë në këtë rast i mbrojturi i tij ka lëvizur me automjetin e tij, thekson se kjo nuk përbën shkak për ndërtimin e dyshimit te bazuar kjo për faktin se i njëjti e ka vendbanim në atë zonë, pra rreth 200 metra nga vendi i ngjarjes”, citohet të këtë thënë avokati.

Edhe i dyshuari Rilind Murati, para gjykatës është deklaruar i pafajshëm, duke thënë se nuk është i përfshirë në këtë çështje penale.

Kurse, mbrojtësi i tij- avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare- Musa Konxheli, paraprakisht kishte thënë se e kundërshtojnë kërkesën për paraburgim, pasi nga provat materiale nuk vërtetohet në asnjë mënyrë se Murati është i përfshirë në kryerjen e kësaj vepre penale.

“Me dy provave siç është deklarimi i dhënë në polici nga ana e të mbrojturit të tij më datë 21.04.2025 dhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, deklaron se i beson klientit të tij meqë asnjë nga këto dy prova në këtë fazë nuk mund të administrohet, andaj, edhe nuk mund të vijmë deri te konstatimi ose vërtetimi i fakteve kyçe të cilat e përbëjnë figurën e veprës penale e me të cilën dyshohet edhe klienti i tij Rilind Murati”, thuhet tutje në aktvendim.

I dyshuari Vatan Çaka, sipas Gjykatës, ka thënë se në natën kritike pasi që ka dëgjuar alarme të shumta të Policisë, ka shkuar në vendngjarje vetëm nga kureshtja për të parë se çfarë ka ndodhur aty, pasi që paraprakisht nga rrjetet sociale e ka kuptuar që bëhet fjale për një viktimë- veteran i UÇK-së.

Gjithashtu, kishte thënë se e ka prindin veteran të UÇK-së, i cili ende vuan nga pasojat e traumave të luftës dhe se në asnjë mënyrë nuk ka mundur t’ia bëjë një gjë të tillë një ish-veterani të luftës.

E mbrojtësi i tij me autorizim, avokati Ngadhnjim Rudi kërkesën për paraburgim e ka konsideruar të rëndë dhe të paarsyeshme, duke thënë se përmendet vetëm qëndrimi i të mbrojturit të tij me dy të dyshuarit e tjerë, që është parë nga kamerat e sigurisë, ndërsa nuk është theksuar se me cilat veprime të të mbrojturit të tij, Prokuroria ka arritur deri tek dyshimi i bazuar se ai është i përfshirë në kryerjen e kësaj vepre penale.

“Në faqen 4 të arsyetimit prokuroria thekson se “duke ditur se të njëjtit nga kryerja e veprës ju ka shmangur qëllimisht organeve të ndjekjes”, e që ky pretendim është në tërësi i paqëndrueshëm për shkak se i mbrojtur i tij ka qenë i qasshëm, pra ka qenë në shtëpinë e tij edhe kur është arrestuar”, citohet të jetë shprehur avokati.

I dyshuari Edmond Lika në sallën e gjyqit ka deklaruar se nuk ka të bëjë asgjë në lidhje me këtë çështje penale dhe në vendin ku ishte së bashku me Shkëlqim Kukën, ka qenë krejt rastësisht.

Avokati i tij i caktuar sipas detyrës zyrtare- Hesat Agushi, ka thënë se e kundërshton tërësisht kërkesën e Prokurorisë, duke thënë se në dispozitivin e kërkesës për caktimin e masës se paraburgimit, nuk ka treguar një dyshim të bazuar mirë se i mbrojturi i tij ka qenë i përfshirë në kryerjen e kësaj vepre.

I dyshuari Shkelqim Kuka, thuhet se gjithashtu ka deklaruar se nuk ka të bëjë asgjë në lidhje me këtë çështje penale.

E mbrojtësi i tij sipas detyrës zyrtare, Kastriot Zenuni e ka kundërshtuar masën e paraburgimit, duke thënë se nga shkresat e lëndës nuk shihet se ka prova bindëse se i mbrojturi tij është i involvuar në këtë vepër. Kurse, sa i përket pretendimeve të Prokurorisë se i mbrojturi i tij natën kritike e ka përcjellë- vëzhguar viktimën, sipas tij, nuk qëndron për faktin se i mbrojturi i tij shpeshherë e bënte të njëjtin veprim meqë është zona e qyteti.

Sipas tij, i dyshuari Kuka kurrë më parë nuk ka pasur ndonjë problem me tani policin e ndjerë, as me shqiptimin e ndonjë tikete.

“Sa i përket pretendimeve se kemi të bëjmë me bashkëkryerje edhe pse jemi në fazë të hetimeve nga shkresat e lëndës shihet se nuk plotësohen kushtet e bashkëkryerjes për faktin se nuk ka ndonjë vendim me të cilin këto janë dakorduar”, thuhet se është shprehur avokati.

I dyshuari Diamant Gashi ka deklaruar se në ditën kritike ka qenë në shtëpi dhe se nuk ka kryer asnjë nga veprimet të cilat ceken në kërkesën për caktimin e masës nga ana e Prokurorisë. Ai është shprehur se ndihet tërësisht i pafajshëm, duke shtuar se lajmin për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika e kam marrë nga ana e prindit të tij, të nesërmen në mëngjes.

Avokatja i tij, Fehmije Gashi-Bytyqi ka deklaruar se nga këto fakte nuk mund të mbështetet dyshimi i bazuar për Dimant Gashin, duke thënë se këto përshkrime janë një njollë e madhe dhe në Kosovë, përveç ligjit që është në frymën evropiane, tha se jemi në dijeni se ekziston edhe e drejta zakonore. Andaj, sipas saj, në këtë situatë familja e të mbrojturit të saj është në një situatë jo të mirë.

Avokatja kisht kërkuar që të dyshuarit Gashi t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, me besimin se i mbrojturi i saj e kupton rëndësinë e institucioneve të Kosovës.

Ndryshe, më 21 prill, masa e paraburgimit i është caktuar edhe të miturit R.B.