“CETIS” kompania që shtypi fletëvotimet e lidhur me Martin Berishaj, “hisja” e përbashkët në një kompani shqiptare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot ka pranuar sqarimin zyrtar në lidhje me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të jugut dhe në Gjakovë. Sipas KQZ-së, pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin në fjalë- kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit…

Lajme

11/11/2025 13:40

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot ka pranuar sqarimin zyrtar në lidhje me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të jugut dhe në Gjakovë.

Sipas KQZ-së, pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin në fjalë- kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave.

“Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”, thuhej në njoftimin e bërë nga KQZ.

Kompania e cila i ka shtypur fletëvotimet, Cetis, thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre.

“Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, përfundon njoftimi i KQZ-së

Por cka tjetër fshihet prapa kësaj çështje, e kompanisë së kontraktuar “CETIS d.d”.

Në disa dokumente të pronësisë bëhet e ditur se në fakt kompania sllovene “CETIS” ka qenë aksionare në një kompani shqiptare ku ortak figuron edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj- emër ky i njohur për autoritetet e hetuesisë në Kosovë tanimë.

Ende nuk dihet nëse do të mund të ketë pasur ndonjë konflikt interesi në këtë rast apo të integritetit të procesit zgjedhor në përgjithësi.

Por, kompania CETIS dhe kontrata e lidhur me KQZ-në në CETIS është kompani e vendosur në Slloveni, më saktësisht në Celje. Kjo kompani është e specializuar për dokumente të sigurisë, si pasaporta, karta identiteti, dokumente civile dhe materiale zgjedhore.

CETIS në Kosovë u përzgjodh për prodhimin e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Sipas të dhënave financiare të publikuara, CETIS realizoi 113.6 milionë euro të ardhura më 2024 duke operuar në mbi 50 shtete.

E siç thuhet procesi i shtypjess së këtyre fletëvotimeve është zhvilluar nën mbikëqyrjen e delegacioni të KQZ-së, në ambientet e fabrikës në Slloveni. E telashe që u shfaqën mbrëmë në jug të Mitrovicës kishin të bënin pikërisht me formatin e realizimit të këtyre fletëvotimeve dhe gjërat të cilat duhet të viheshin me saktësi në to. Por lidhet e Martin Berishajt, mikut të ngushtë të Vetëvendosjes kanë të bëjnë me bashkëpunimin e këtyre kompanive.

Në fakt, Berishaj figuron si aksionar me 10 për qind në kompaninë shqiptare “Nacional Sh.A”, ku aktiviteti fillestar lidhet me organizmin e “lotarive dhe lojërave të fatit”.

Ndër aksionarët e renditur në dokumentet themeluese figuron edhe kompania tanimë e njohur “CETIS”.

Bashkë me të janë pra, “CETIS”, Stil”, “Nirvana” dhe “Lucrum”, me pronarë sllovenë e kroatë.

Pronarë të tjerë të kompanisë ku është hisedar Martin Berishaj, në fillet e saj, ishte  edhe drejtoresha e firmës nga Sllovenia, Cetis, znj.Simona Potocnik, pastaj në kompaninë Nacional, është edhe kompania tjetër kroate, Nirvana – me përfaqësues drejtorin e saj, Arsen Dobrota, një tjetër firmë krotate ‘Lucrum’ me përfaqësues drejtorin e saj, Vilim Kolaric si dhe në fund, Martin Berishaj.

Ndonëse kemi kontrolluar deklarimet e pasurisë së Martin Berishajt nga viti 2022 deri në deklarimin e bërë së fundi, kjo hise e tij nuk është deklaruar, ndonëse detyrohet me ligj që ta bëjë këtë si zyrtar publik.

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit ku ai deklaroi pasurinë nuk figuron asgjëkundi hisja në këtë kompani e as bashkëpunimet me këto kompani. E natyrisht se kjo lidhje e drejtpërdrejtë mes CETIS-it, që u përkujdes për shtypjen e fletëvotimeve për KQZ-në dhe ambasadorit kosovar ka ngritur dyshime për konflikt interesi dhe mospërputhje me standardet e transparencës që kërkohen nga institucionet shtetërore.

E në lidhje me gjithë këtë çështje, lajmi.net ka tentuar që të marrë një deklarim direkt nga kompania por deri në momentin e publikimit të njëjtit nuk janë përgjigjur.

E ambasadori kosovar, Martin Berishaj është njeriu që është përmendur edhe më herët në hetimet që bëheshin në kuadër të skandalit energjetik “GEN Beograd”, ku dyshohej për përfshirje në rrjedhje të fondeve ndërmjet kompanive energjetike sllovene dhe serbe.

Berishaj e po ashtu edhe Albin Kurti, Donika Gërvalla e Vjosa Osmani në disa raste kishin mohuar përfshirjen e tij në një nga aferat më të mëdha të politikës me bizneset energjetike në rajon.

E më 26 qershor të këtij viti, Prokuroria Speciale ka intervistuar ambasadorin Berishaj, lidhur me hetimet që janë duke u zhvilluar ndaj tij për tri vepra penale: “shpëlarje të parave”, “shmangie nga tatimi” dhe “mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë”.

“Mund të konfirmojmë se z. Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale: ‘shpëlarje e parave’, ‘shmangie nga tatimi’ dhe ‘mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’.”, ishte thënë nga Prokuroria.

Ndërsa, avokati i Berishajt Tomë Gashi ka deklaruar se klienti i tij ka dhënë një “deklaratë sqaruese”.“Për t’i ndihmuar Prokurorisë Speciale të Kosovës sot zotni Martin Berishaj ka dhënë deklaratë sqaruese, me te cilën ne besojmë që i ka ndihmuar Prokurorisë për të eliminuar çdo dyshim për aferën e ndërtuar nga gazetari serb, i afërm me Shërbimin Sekret të Serbisë, me qëllim të dëmtimit të reputacionit të profesorit Martin Berishaj, i cili është halë në sy të Serbisë, edhe te disave, që me vetëdije apo pa vetëdije i shtyjnë agjendat e Serbisë.” – ka shkruar Gashi në Facebook.Ai ka shtuar se përfundimisht besojnë që Prokuroria e ka “kristal të qartë” se Martin Berishaj ka pësuar “paksa dëmtim kolateral” nga ata të cilët në “mënyrë patologjike e urrejnë Lëvizjen Vetëvendosje” dhe Albin Kurtin, të cilin e ka quajtur si “Kryeministrin më të mirin që e ka pasë Kosova ndonjëherë”.

E për këtë rast ai ishte intervistuar edhe një vit më parë.

Ai shërben si Ambasador i Kosovës në Kroaci që nga viti 2021.Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene, nën dyshimin se ka transferuar rreth 600,000 euro te një Kompani private në Mal të Zi.Sipas mediumit slloven PlanetTV Kompania private është në pronësi të tij. Pavarësisht thirrjeve për shkarkim të tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe vetë Berishaj ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar.Vitet e kaluara shkarkimi i Berishajt u kërkua edhe me protesta para Qeverisë së Kosovës, mirëpo nga drejtuesit e MPJD-së nuk pati lëkundje besimi në të, përkundrazi lajmi për “skandalin” u tha se nuk është i vërtetë.

Pas akuzave për aferë Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte nisur procedurat për verifikimin e pasurisë së tij.Berishaj kishte raportuar në AKK se ka pasuri të paluajtshme prej 382,000 euro – përfshirë këtu dy banesa, një shtëpi dhe një tokë.Ai ka deklaruar se ka dy banesa në vlerë 230,000 euro.Ambasadori ka deklaruar se banesën e parë me sipërfaqe 92 m2 e ka blerë në vitin 2001 me të hyra e kursime të përbashkëta familjare dhe atë e ka në pronësi të përbashkët.Sipas Raportit të AKK-së banesën e dytë me të njëjtën sipërfaqe Berishaj e ka blerë në 2006 me kursime për vetëm 50,000 euro e pasuri të tjera./Lajmi.net/