Çështja e teksteve shkollore, Rama kritikon ashpër Çekun: 1 shtatori, pa libra – Kudo që janë këta, veç një punë dinë me bo, me blloku

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ministrin e Arsimit, Hajrulla Çeku, për mungesën e librave shkollorë pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor. Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka akuzuar Çekun se gjatë kohës sa ishte ministër i Kulturës kishte “bllokuar” projekte të rëndësishme kulturore, ndërsa tash, sipas…

Lajme

27/08/2026 16:27

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ministrin e Arsimit, Hajrulla Çeku, për mungesën e librave shkollorë pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka akuzuar Çekun se gjatë kohës sa ishte ministër i Kulturës kishte “bllokuar” projekte të rëndësishme kulturore, ndërsa tash, sipas tij, po bllokon edhe procesin mësimor, transmeton lajmi.net.

“1 SHTATORI – PA LIBRA!”, ka shkruar Rama në fillim të postimit.

Ai ka përmendur në veçanti Teatrin Kombëtar dhe Muzeun Kombëtar, duke pretenduar se të dy institucionet kanë mbetur për vite të tëra në renovim. Sipas Ramës, një gjeneratë e studentëve të Akademisë së Arteve ka nisur dhe përfunduar studimet pa pasur mundësi të shkojë në Teatrin Kombëtar.

Rama ka kritikuar gjithashtu gjendjen e Muzeut Kombëtar, duke ngritur shqetësime për kushtet në të cilat ruhen artefaktet.

Duke iu referuar tashmë rolit të Çekut si ministër i Arsimit, Rama ka thënë se mungesa e librave shkollorë për 1 shtator përbën një tjetër dështim.

“Kudo që janë këta, veç një punë dinë me bo, ME BLLOKU!”, ka shkruar Rama.

Në fund, kryetari i Prishtinës e ka mbyllur reagimin me një tjetër kritikë ndaj qeverisjes, duke thënë: “Mjerë ky popull për ju. Qe 6 vjet veç prralla jeni tu i kallxu”./lajmi.net/