Çështja e presidentit: PDK-ja dhe AAK-ja mbledhin organet partiake, nga LDK dhe LVV ende nuk ka lëvizje
Shpallja e aktgjykimit të fundit nga Gjykata Kushtetuese ka dinamizuar jetën politike në vend. Një ditë pas publikimit të aktgjykimit, i cili i ka dhënë Kuvendit kohë edhe 34 ditë për zgjedhjen e presidentit të ri, Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur Kryesisë dhe Grupit Parlamentar për të diskutuar rreth kësaj çështje. Një gjë të…
Lajme
Shpallja e aktgjykimit të fundit nga Gjykata Kushtetuese ka dinamizuar jetën politike në vend. Një ditë pas publikimit të aktgjykimit, i cili i ka dhënë Kuvendit kohë edhe 34 ditë për zgjedhjen e presidentit të ri, Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur Kryesisë dhe Grupit Parlamentar për të diskutuar rreth kësaj çështje. Një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe AAK-ja.
Derisa PDK-ja dhe AAK-ja kanë thirrur organet partiake për të marrë qëndrime zyrtar rreth kësaj çështje, LVV-ja dhe LDK-ja kanë heshtur.
Para fillimit të mbledhjes, Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se vetëm pas diskutimeve në organet drejtuese PDK-ja do të marrë një qëndrim në lidhje me çështjen e presidentit.
“Ne jemi shpreh qartë që Partia Demokratike e Kosovës e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse në këtë vend duhet të respektohen vendimet e gjykatave, posaqerisht të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai, duke paralajmëruar së PDK-ja do ta mbledh edhe Këshillin Drejtues.
“Sot kemi mbledhje të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar, ditëve në vijim presim me pas edhe mbledhje të Këshillit Drejtues. Do t`i diskutojmë qëndrimet tona, pozicionin tonë dhe sigurisht se mbi bazën e vendimeve të organeve të PDK-së ne do të dalin zyrtarisht me qëndrimin tonë”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Gjithçka që flasim para diskutimeve në organet e partisë nuk është e duhura, sepse ato janë për me i disku, me i debatu, me marr vendime dhe me qendru në këto vendime”, është shprehur ai.
Ai ka treguar se deri me tani nuk ka marrë ndonjë ftesë për takim me Kurtin.
“Nuk ka ftesë”, ka thënë ai.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka lëvizur pas aktgjykimit.
Përmes një njoftimi të kësaj partie është bërë e ditur se sot në ora 16:00 pritet të mbajë mbledhjen e Këshillit Drejtues.
“Ju njoftojmë se sot, në ora 16:00, do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.Në këtë mbledhje do të diskutohen zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e Aleancës lidhur me situatën e krijuar.Pas përfundimit të mbledhjes, do t’ju informojmë për vendimet dhe qëndrimet që do të dalin nga diskutimet”, është thënënë njoftimin e AAK-së.
Ndryshe nga PDK dhe AAK, LVV-ja dhe LDK-ja nuk kanë ndërmarr ndonjë veprim në këtë drejtim.
Askush prej këtye partive nuk ka treguar nëse do t`i mbledhin organet partiake për t`i diskutuar zhvillimet e fundit.
Në anën tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka dashur të komentojë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka shpall të pavlefshëm dekretin e saj për shpërndarjen e Kuvendit.
Pas ceremonisë për 27 vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe, Osmani ka thënë se për këtë çështje ka dhënë vlerësimin e saj.
Në këtë mënyrë, ajo ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjen e gazetarëve, nëse është e gatshme që të diskutojë për postin e presidentes.
“Për tema tjera tash jemi deklaruar. Faleminderit për mirëkuptimin… Jemi deklaruar për këto çështje, ju lus për mirëkuptim dhe respekt të masakrës”, ka thënë ajo.
As kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, që ka marrë pjesë në këtë përvjetor, nuk ka dashur të komentojë këtë çështje.
“Jo këtu, të lutem”, ka thënë ajo.