​Çështja e presidentit, Mustafa: Diskutime të tilla mbahen në nivel të kryetarëve

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i pyetur nga kryeministri, Albin Kurti se a kanë pranuar ftesë për çështjen e presidentit, refuzoi të përgjigjet me arsyetimin se diskutime të tilla mbahen në nivel të kryetarëve. Mustafa në një konferencë për medie bëri të ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës për të premten ka…

Lajme

01/04/2026 15:31

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i pyetur nga kryeministri, Albin Kurti se a kanë pranuar ftesë për çështjen e presidentit, refuzoi të përgjigjet me arsyetimin se diskutime të tilla mbahen në nivel të kryetarëve.

Mustafa në një konferencë për medie bëri të ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës për të premten ka thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për rritjen e çmimit të derivateve të naftës.

Kjo konferencë për media nga deputeti i LDK-së Mustafa u ftua pas refuzimit të disa propozimeve të tij nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që në Komisionin parlamentar për Buxhet të diskutohet për çmimet e naftës dhe energjisë si dhe ndikimit të tyre në rritje të çmimeve të shërbimeve të tjera, por edhe për mosekzekutimin e pagës së 13-të për punëtorët e RTK-së dhe ata të sektorit shëndetësor.

Mustafa tha se qëllimi i këtyre pikave për t’u diskutuar në këtë komision ishte të merrej një raport gjithpërfshirës për masat që po ndërmerr qeveria apo do të ndërmarrë në lidhje me ngritjen e çmimeve, pasi prezent ishte edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.