Çështja e mandatarit nga VV | Bugaqku: Presidentja të ketë kujdes në veprime të ngutshme, të mos bie pre e vendimmarrjeve të partive

Hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, ka thënë se s’mund të zhvillohet asnjë aktivitet nga Kuvendi, as mbledhje e kryesisë, derisa çështja është dërguar në Kushtetuese. “Nuk mund të vazhdohet asnjë aktivitet, as mbledhje e kuvendit, përderisa është dërguar çështja në Kushtetuese, duhet të pritet edhe disa ditë derisa të ketë një vendim nga…

Lajme

03/09/2025 09:09

Hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, ka thënë se s’mund të zhvillohet asnjë aktivitet nga Kuvendi, as mbledhje e kryesisë, derisa çështja është dërguar në Kushtetuese.

“Nuk mund të vazhdohet asnjë aktivitet, as mbledhje e kuvendit, përderisa është dërguar çështja në Kushtetuese, duhet të pritet edhe disa ditë derisa të ketë një vendim nga Kushtetuesja nëse është konstituuar Kuvendi apo jo. Rrjedhimisht kryetari i Kuvendit në këtë fazë s’ka ndonjë rol që të ketë aktivitet të përditshëm të Kuvendit, derisa Gjykata Kushtetuese nuk e konfirmon se Kuvendi është konstiuuar pasi nëse merren vendime mund të ketë pasoja juridike”, është shprehur ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, as Basha e as Osmani s’duhet të nguten në vendime dhe të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“Mendoj se pasi çështja është dërguar në Kushtetuese, si kryetari ashtu edhe presidentja të mos ndërmarrin veprime, të jenë të kujdesshëm dhe të mos nguten, të mos sillen në atë kuptim sikur nuk ka ndodhur asnjë dyshim për zgjedhjen e nënkryetarëve, andaj është më mirë që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar Bugaqku.

Sa i përket çështjes së mandatarit, për çka nga VV thanë se do ta mbledhin Këshillin e Përgjithshëm dhe më pas emrin do ta dërgojnë te Presidentja, hulumtuesi nga KDI thotë se Osmani s’duhet të bie pre e vendimmarrjeve të partive dhe të bëjë lëshime.

“Partia Vetëvendosje ka të drejtë të mblidhet, të diskutojë dhe t’i kryejë procedurat e caktimit të kandidatit për kryeministër. Ajo që duhet të ketë kujdes është presidentja kur i adresohen, ajo duhet të sillet brenda normave dhe të mos ngutet që të veprohet me presion, të mos bie pre e vendimmarrjeve të partive, andaj presidentja dhe zyra ligjore e saj, uroj dhe shpresoj të mos bëjnë veprime të ngutshme, të mos bëjë lëshime që mund t’i kontestohen në Gjykatën Kushtetuese”, ka potencuar ai.

Sa i përket mundësisë që i gjithë procesi i konstituimit të Kuvendit, ndarja e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë u bë për të fituar kohë, Bugaqku nuk e përjashton një mundësi të tillë.

Por, ai thotë se të gjitha këto lojëra janë të tepruara pasi vendi po shkon drejt një krize të thellë ekonomike.

“Për shkak të mungesës së një shumice parlamentare, mbase edhe po kalkulohet manovrimi i procedurave në çështjen e konstituimit të Kuvendit në mënyrë që të blihet edhe pak kohë mbase se mos krijohet ndonjë marrëveshje me ndonjë parti apo deputet që do t’ia siguronte votën për qeveri. Por këto janë lojëra të tepruara politike sepse janë bërë 7 muaj që nga zgjedhjet, jemi pa Kuvend, pa institucione, jemi shumë pranë përfundimit të vitit, duhet miratuar buxheti i shtetit dhe vendi është duke shkuar drejt një krize të thellë ekonomike dhe financiare”, ka deklaruar Vullnet Bugaqku nga KDI.