Çështja e biletave për Kosovë-Turqi, Gashani: Kryeministri kërkoi angazhim të menjëhershëm nga MPB

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka deklaruar se institucionet janë duke u marrë me shqetësimet për keqpërdorime të mundshme me biletat për ndeshjen e Kombëtares, duke theksuar se ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një fenomen të përhapur apo raste të izoluara. Në emisionin Sportcast të KosovaPress-it Gashani tha se…

Lajme

31/03/2026 14:11

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka deklaruar se institucionet janë duke u marrë me shqetësimet për keqpërdorime të mundshme me biletat për ndeshjen e Kombëtares, duke theksuar se ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një fenomen të përhapur apo raste të izoluara.

Në emisionin Sportcast të KosovaPress-it Gashani tha se interesimi për ndeshjen ka qenë shumë i madh që nga fillimi i këtij cikli, ndërsa ka pranuar se janë raportuar shqetësime për abuzime të mundshme, të cilat janë duke u trajtuar nga institucionet përkatëse.

Ai bëri të ditur se gjatë një vizite te Kombëtarja dhe tifogrupi Dardanët, këto shqetësime janë ngritur edhe nga përfaqësues të Federatës dhe tifozërisë. Sipas tij, në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryeministri, i cili ka premtuar se do ta njoftojë menjëherë Ministrin e Brendshëm për këtë çështje, duke kërkuar angazhim intensiv nga agjencitë e sigurisë.

“Interesimi natyrisht që është i madh, ka qenë i madh prej fillimit të këtij cikli, natyrisht që kam ndëgjuar shqetësimet e informatat se mund të keqpërdoren. Institucionet tona janë duke u marrë me këtë dhe ende nuk e dimë a është kjo e fryer përmes rrjeteve sociale apo me të vërtetë po ndodh në shkallën që po plasohet … Mbrëmë kur kemi vizituar Kombëtaren tonë edhe tifozërinë Dardanët me udhëheqësinë e tyre po edhe nga Federata na është dhënë ky shqetësim, derisa isha me Kryeministrin dhe Kyreministri ju premtojë se automatikisht do të informojë Ministrin e Brendshëm për këto shqetësime dhe Ministri i Brenshëm duhet të merret intensivisht me agjencionet e sigurisë përkatëse. Thash edhe një herë ende nuk e dimë saktë sepse institucionet po punojnë edhe nuk kemi kuptuar ende se a është kjo alarmante, sikur po shprehet në disa prej rrjeteve sociale apo janë raste të izoluara që fatkeqësisht të ndodhin e kanë për të ndodhur gjithmonë. Për ne është me rendësi që kjo mos bëhet dukuri dhe do të mendojmë edhe për forma të tjera të parandalimit”, theksoi Gashani

Gashani theksoi se aktualisht nuk ka një vlerësim të saktë nëse situata është alarmante, ashtu siç po paraqitet në disa rrjete sociale, apo nëse bëhet fjalë për raste të izoluara që mund të ndodhin. Ai nënvizoi se për institucionet është e rëndësishme që këto dukuri të mos shndërrohen në fenomen dhe paralajmëroi se do të shqyrtohen edhe forma të tjera për parandalimin e tyre në të ardhmen.