Çelaj ia numëron dështimet e Ahmetit

Furnizimi me kifle, për nxënësit e shkollave në Prishtinë, duket të jetë e arritura e vetëm e kryetarit të kësaj Komune, Shpend Ahmetit, sipas zëvendësministrit të drejtësisë Lirak Çelajt, njëherësh asambleist në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Lajme

25/07/2016 08:10

Në një intervistë për Gazetën Fjala, Çelaj thotë se ndërtimet pa leje e korrupsioni në komunën e drejtuar nga Ahmeti, nuk janë ndalur, vetëm se janë ndërruar njerëzit të cilët bëjnë keqpërdorime të tilla.

“Përpjekja për të thënë që është ndal korupsioni dhe ndërtimi pa leje është i pavërtetë, thjesht është ndrru ekipa e cila korruptohet… Neve na raportojnë qytetarët vazhdimisht për korruptime ku i janë kërku mjete të caktuara qoftë për renovim të shpisë. Korrupsioni nuk është ndal por janë ndërru njerzit që përfitojnë”, ka thënë Çelaj për Gazetën Fjala.

Ai kërkon përgjegjësi nga i pari i kryeqytetit edhe për rastin e dy fëmijëve të mbytur në gropën e Kolovicës.

“ Dikush duhet të jap përgjegjësi penale, për këtë punë duhet të shkohet edhe te kryetari të jap përgjegjësi”, ka thënë asambleisti nga radhët e PDK-së.

Çelaj, thotë se në Komunën e Prishtinës ka mafi të ndërtimit. Përderisa, për kryetarin Ahmeti, thotë se Komunën e ka shndërruar në një shtab të Lëvizjës Vetëvendosje, duke vepruar njësoj si paraardhësi i tij, tani kryeministri Isa Mustafa, sa ishte në pozitën e njejtë.

Përveç kësaj, ai flet edhe për nënshkrimin për trajtimin mjekësor të Sabit Gecit, të cilin thotë se e ka bërë pas urdhërit nga ish ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi.