Çdo javë po bien blloqet, ndërsa KEK-u krenohet se ka realizuar 97 për qind të planit vjetor për vitin 2025

Korporata Energjetike e Kosovës gati çdo javë po përballet me rënie të blloqeve, ku si pasojë po ndikon në reduktime të rrymës tek qytetarët. Por, KEK e ka gjetur një rast ku mund të “krenohet”, transmeton lajmi.net. Me anë të një komunikate, KEK pretendon dhe krenohet se ka arritur të realizoj 97 për qind të…

Lajme

23/01/2026 09:26

Korporata Energjetike e Kosovës gati çdo javë po përballet me rënie të blloqeve, ku si pasojë po ndikon në reduktime të rrymës tek qytetarët.

Por, KEK e ka gjetur një rast ku mund të “krenohet”, transmeton lajmi.net.
Me anë të një komunikate, KEK pretendon dhe krenohet se ka arritur të realizoj 97 për qind të planit vjetor të prodhimit të energjisë elektrike për vitin 2025.
Për këtë rezultat, në komunikatë KEK i jep kredite strukturës menaxheriale.
Komunikata e plotë:
𝐊𝐄𝐊 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐨𝐧 𝟗𝟕% 𝐭ë 𝐏𝐥𝐚𝐧𝐢𝐭 𝐕𝐣𝐞𝐭𝐨𝐫 𝐭ë 𝐏𝐫𝐨𝐝𝐡𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭ë 𝐄𝐧𝐞𝐫𝐠𝐣𝐢𝐬ë 𝐄𝐥𝐞𝐤𝐭𝐫𝐢𝐤𝐞 𝐩ë𝐫 𝐯𝐢𝐭𝐢𝐧 𝟐𝟎𝟐𝟓
Korporata Energjetike e Kosovës – KEK Sh.A. njofton se, bazuar në Bilancin Vjetor Energjetik të aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka realizuar 97% të planit vjetor të prodhimit të energjisë elektrike për vitin 2025, pavarësisht sfidave teknike dhe ndërhyrjeve kapitale për modernizimin e njësive gjeneruese.
Ky rezultat është arritur gjatë një periudhe intensive pune, e cila ka përfshirë modernizimin e turbinave në njësinë B2, realizimin e remonteve të rregullta vjetore si dhe zbatimin e projekteve kapitale në njësitë B1, B2 dhe A3, duke siguruar funksionim të qëndrueshëm dhe të sigurt të sistemit energjetik kombëtar.
Analiza e të dhënave mujore të prodhimit dëshmon se, në disa muaj kyç, prodhimi ka tejkaluar planifikimin deri në 110%. Krahasimisht, në dhjetor 2024 realizimi i prodhimit ishte 76.5%, ndërsa në dhjetor 2025, falë përfundimit me sukses të remonteve vjetore dhe ndërhyrjeve modernizuese, si dhe me rënien e temperaturave dhe operimin paralel të pesë njësive gjeneruese, KEK ka tejkaluar planin e prodhimit me 102%. Periudhat me realizim më të ulët lidhen drejtpërdrejt me fazat intensive të modernizimit dhe remonteve të planifikuara. Megjithatë, në nivel vjetor, KEK ka ruajtur stabilitetin e sistemit energjetik kombëtar dhe ka përmbushur objektivat strategjike të prodhimit.
Realizimi vjetor prej 97% nuk përfaqëson vetëm një tregues statistikor, por është mbi të gjitha dëshmi konkrete e përkushtimit, profesionalizmit dhe përgjegjësisë së lartë të stafit teknik dhe të të gjithë punonjësve të KEK-ut, të cilët, përmes punës së palodhshme dhe angazhimit në terren, kanë garantuar funksionimin stabil dhe të sigurt të sistemit prodhues edhe në kushte jashtëzakonisht sfiduese. Ky rezultat është mbështetur dhe koordinuar nga strukturat menaxheriale, në funksion të krijimit të kushteve të nevojshme për realizimin e këtij performance.
Ky rezultat konfirmon se KEK jo vetëm që po kalon nëpër një proces të thellë transformimi, por po e realizon këtë transformim duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit energjetik të Republikës së Kosovës, si dhe duke ndërtuar themelet e një sistemi energjetik modern, të sigurt dhe të qëndrueshëm për të ardhmen.
Me respekt,
Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS./lajmi.net/