Cameron në Kabul, u premton ndihmë afganëve

Kryeministri britanik, David Cameron ka premtuar të premten se Britania do të jetë gjithmonë partner i fuqishëm dhe mik i mirë i Afganistanit.

Bota

03/10/2014 14:00

Cameron, i cili nuk e kishte paralajmëruar vizitën në Kabul, është lideri i parë botëror që takon presidentin e ri afgan, Ashraf Ghani, i cili ka bërë betimin këtë javë.

Në një konferencë të përbashkët për gazetarë, Cameron dhe Ghani u zotuan për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, jo vetëm atyre ushtarake, por edhe të ndihmës për zhvillim ekonomik të Afganistanit.

“Britania është e përkushtuar që të ndihmojë afganët për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begattë”, tha Cameron.

“Së bashku do të bëjmë Afganistanin më të sigurt, dhe kështu edhe Britania do të jetë më e sigurtë”, tha Cameron, i cili është takuar edhe me kryeministrin e ri të Afganistanit Abdullah Abdullah.

Pas Shteteve të Bashkuara, Britania është kontribuuesja më e madhe në koalicionin ndërkombëtar ushtarak, i cili ndodhet në Afganistan qysh nga vendosja e trupave amerikane më 2001.

Mbi 450 trupa britanike janë vrarë në këtë vend gjatë luftës me talibanët, lidhja e të cilëve me organizatën terroriste Al Qaeda, që kreu sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara, çoi në pushtimin e këtij vendi nga ushtria amerikane.