Cakolli: Votimi jashtë përfaqësive diplomatike bëhet me bazë ligjore e arsye praktike, ne nuk i kemi asnjërën

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka sqaruar se si rregullohet me ligj votimi jashtë përfaqësive diplomatike. Sipas tij, kjo duhet rregulluar me ligj dhe shton se shembulli i Rumanisë, në rastin e Kosovës nuk qëndron. “Në Rumani, si rast i përmendur së fundi, krijimi i qendrave shtesë të votimit është i rregulluar me…

Lajme

01/12/2025 20:50

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka sqaruar se si rregullohet me ligj votimi jashtë përfaqësive diplomatike.

Sipas tij, kjo duhet rregulluar me ligj dhe shton se shembulli i Rumanisë, në rastin e Kosovës nuk qëndron.

“Në Rumani, si rast i përmendur së fundi, krijimi i qendrave shtesë të votimit është i rregulluar me ligj (Ligji 208/2015, neni 23), që e përcakton në detaje se si mund të hapen qendra të reja jashtë misioneve diplomatike, kush e jep pëlqimin, cilat institucione vendosin, çfarë kushtesh duhen plotësuar, dhe në cilat raste mund të zgjerohet rrjeti i votimit jashtë vendit”, shkruan Cakolli.

Tutje sqaron se në Rumani, “zgjerimi i rrjetit të qendrave të votimit jashtë vendit ka ardhur pas problemeve reale, me shumë qytetarë që s’kanë arritur të votojnë për shkak të radhëve shumë të gjata dhe kapaciteteve të pamjaftueshme”.

“Në atë kontekst, shteti rumun ka miratuar një paketë ligjore për t’u siguruar që diaspora të mos mbetet pa votuar – përfshirë edhe votimin disa-ditor. Pra, nevoja ka qenë faktike, ligji ka qenë specifik, dhe procedurat kanë qenë të detajuara”, shton ai.

Cakolli sqaron se në Kosovës nuk ka një rregullim të tillë, gjë që e pamundëson votimin jashtë përfaqësive diplomatike, siç kërkon paria në pushtet. Lëvizja Vetëvendosje.

“Në Kosovë nuk ekziston as rregullimi, as nevoja për qendra alternative jashtë vendit. Ligji ynë e kufizon qartësisht votimin fizik jashtë vendit vetëm në hapësirat e përfaqësive diplomatike, dhe zgjedhjet e 9 shkurtit treguan se kapacitetet ekzistuese nuk u afruan asnjëherë në pikën e mbingarkesës. Prandaj krahasimi me Rumaninë nuk qëndron. Ata kanë bazë ligjore dhe arsye praktike. Ne nuk kemi as njërën, as tjetrën”, shtoi Cakolli.