Cakolli: Vazhdimi i seancës konstituive nesër është shkelje kushtetuese, duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas vendimit që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të mbahet nesër në orën 11:00, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të rendit kushtetues. Përmes një postimi, Cakolli ka thënë se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka pasur obligim që vazhdimin e seancës ta thërriste…
Lajme
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas vendimit që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të mbahet nesër në orën 11:00, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të rendit kushtetues.
Përmes një postimi, Cakolli ka thënë se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka pasur obligim që vazhdimin e seancës ta thërriste gjatë ditës së sotme, në mënyrë që procesi të përfundonte brenda afatit kushtetues, raporton lajmi.net
“Caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për nesër, në orën 11:00, përbën shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues”, ka shkruar Cakolli.
Postimi i plotë:
Caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për nesër, në orën 11:00, përbën shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues.
Kryesuesi Avni Dehari ka pasur obligim ta thërriste vazhdimin sot, në një kohë që do të mundësonte edhe përfundimin e seancës deri në orën 23:59. Afati 48-orësh për pauzën është kufi procedural dhe zbatohet vetëm brenda afatit kushtetues.
Dehari, përmes caktimit të vazhdimit pas afatit, dhe LVV-ja, përmes mosushtrimit brenda afatit 30-ditor të së drejtës ekskluzive të propozimit, ua kanë pamundësuar deputetëve ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre kushtetuese.
Ky vendim dhe e gjithë kjo sjellje përbëjnë shkelje procedurale, shkelje kushtetuese dhe moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, menjëherë pas mesnatës, së paku dhjetë deputetë duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, ta kontestojnë vendimin për caktimin e seancës pas afatit dhe mosveprimet e 6 dhe 7 gushtit, si dhe të kërkojnë masë të përkohshme për pezullimin e seancës së nesërme para orës 11:00./Lajmi.net/