Cakolli: Rezultatet përfundimtare u shpallën 34 ditë pas ditës së votimit, menaxhim joadekuat me zvarritje të panevojshme

KQZ sot publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Nga këto publikime del se LVV ka siguruar 48 ulëse në Kuvend, PDK 24 ulëse, LDK ka fituar 20 mandate kurse AAK-Nisma ka arritur të përfaqësohet në legjislaturën e re me 8 deputetë, transmeton lajmi.net. Eugen Cakolli nga DNV, ka reaguar pas shpalljes së këtyre…

Lajme

15/03/2025 18:49

KQZ sot publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Nga këto publikime del se LVV ka siguruar 48 ulëse në Kuvend, PDK 24 ulëse, LDK ka fituar 20 mandate kurse AAK-Nisma ka arritur të përfaqësohet në legjislaturën e re me 8 deputetë, transmeton lajmi.net.

Eugen Cakolli nga DNV, ka reaguar pas shpalljes së këtyre rezultateve duke vënë fokusin në vonesën e kësaj procedure.

“Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve u shpallën sot nga KQZ-ja, plot 34 ditë pas ditës së votimit – duke shënuar vonesën më të gjatë për shpalljen e rezultateve përfundimtare, që nga zgjedhjet e vitit 2010”, shkruan ai.

Ja postimi i plotë:

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve u shpallën sot nga KQZ-ja, plot 34 ditë pas ditës së votimit – duke shënuar vonesën më të gjatë për shpalljen e rezultateve përfundimtare, që nga zgjedhjet e vitit 2010.

Megjithatë, shpallja e sotme nuk shënon përfundimin e procesit, por vetëm mbylljen e një kapitulli. Në 48 orët e ardhshme pritet të parashtrohen mbase qindra ankesa, trajtimi i tërësishëm i të cilave mund të zgjasë deri në 12 ditë. Prej tyre, gjithsej 6 ditë janë të parapara në PZAP dhe 6 të tjera në Gjykatën Supreme. Kjo, pa llogaritur vendimet që mund të marrin këto institucione, të cilat potencialisht mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve.

Edhe pse këto zgjedhje u mbajtën sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2023, KQZ-ja, për herë të parë, ka pasur gjashtë muaj kohë për t’u përgatitur për zgjedhjet parlamentare. Prapëseprapë, këto vonesa nuk mund t’i atribuohen vetëm ndryshimeve, por menaxhimit joadekuat të procesit të numërimit nëpër QKN dhe QNR – që u shoqërua me zvarritje të panevojshme.