Cakolli: Rënia e LDK-së në 13% është sinjal se oferta e tyre politike nuk po bind më një sistem të polarizuar

Eugen Cakolli nga KDI, ka shkruar në lidhje me rënien që LDK ka pësuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai ka thënë se kjo rënie e LDK-së në 13%, tregon se problemi nuk është vetëm teknik apo organizativ por sipas tij është sinjal se oferta politike e LDK-së, nuk po bind më një sistem të…

Lajme

15/01/2026 08:21

Eugen Cakolli nga KDI, ka shkruar në lidhje me rënien që LDK ka pësuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ai ka thënë se kjo rënie e LDK-së në 13%, tregon se problemi nuk është vetëm teknik apo organizativ por sipas tij është sinjal se oferta politike e LDK-së, nuk po bind më një sistem të polarizuar, të dominuar nga Kurti në njërën anë dhe një opozitë e ngurtë në anën tjetër.

“Zhvillimet e fundit në LDK, përtej histerive, po tregojnë se përplasja është në thelb për qasjen ndaj së ardhmes. Qasja e kryetarit Abdixhiku duket të jetë vazhdimësia institucionale, respektimi i procedurave, toni teknik dhe një kalibrim i ngadalshëm. Si qasje, është e sigurt dhe e kontrolluar, por ende nuk e bën të qartë se si LDK kthehet në forcë që fiton apo së paku bëhet politikisht konkurruese për vendin e parë”, ka thënë ai.

Për qasjen tjetër, që Abdixhiku ka thënë se po artikulohet përmes Hykmete Bajramit, Cakolli ka thënë se kërkon shkëputje më të qartë nga status quo-ja, duke e pranuar humbjen si problem legjitimiteti, dhe urgjencë për zgjedhje të brendshme.

Ai ka shtuar se kjo rrugë sjell pa dyshim më shumë shkundje e tensione, por që ka thënë se është shpesh e vetmja që krijon mundësi reale për ringritje.

“Përvojat politike gjithandej tregojnë se partitë që, pas një rënie të tillë, fokusohen fillimisht në ruajtjen e rendit të brendshëm dhe vetëm më pas në riformatimin politik, zakonisht stabilizohen, por në nivele mesatare. Ndërsa ato që e vendosin në qendër debatit drejtimin e ri politik dhe lidershipin, edhe pse përjetojnë përplasje, shpesh arrijnë të rikrijojnë identitet dhe energji. Sepse problemi thelbësor i LDK-së është që ende s’ka dhënë përgjigje se çfarë është në epokën “Kurti”. Gardiane e qetë institucionale, forcë qendrore korrigjuese, parti shtetformuese konservatore, apo pol i fortë opozitar? Në diskurs është pozicionuar si alternativë opozitare, por në praktikë veprimet e LDK-së kanë krijuar shpesh paqartësi për rolin real që synon të luajë në konfigurimet politike. Ky mjegullim i identitetit u reflektua edhe më 28 dhjetor, kur u pa se qytetarët nuk votojnë vetëm për politika e procedura, por për drejtim të qartë politik dhe për lidership që e mishëron atë”, ka shtuar Cakolli.

Ai ka thënë se edhe gara brenda partisë duhet të shihet në këtë prizëm.

“Hapja e garës nuk është thjesht çështje deklarimi, por e krijimit të kushteve reale për konkurrencë të barabartë, që e rikthejnë besimin te procesi dhe te vendimmarrja e anëtarësisë. Lënia e dorëheqjes “peng” të vendimmarrjes nga Kuvendi – të formësuar kryesisht nga i njëjti lidership dhe ende nën shokun e përjetuar nga rezultati zgjedhor – vështirë se mund të quhet marrje përgjegjësie substanciale. Prandaj, sfida e LDK-së sot nuk është thjesht të menaxhojë situatën dhe procedurat, por të bëjë një rishikim të thellë politik dhe një qartësim të drejtimit. Përndryshe, ekziston mundësia që, si rezultat i “administrimit të rënies”, ajo të mos shërbejë si pikë kthese, por të shndërrohet në gjendje të përhershme – ku 12-15% nuk janë më fundi, por kufiri optimal i partisë”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/ 

Postimi i plotë i Cakollit: