Cakolli: Përbërja e KQZ-së reflekton numrin e deputetëve në Kuvend – Afati për emërimin e tyre është shkelur nga Presidentja Osmani

Eugen Cakolli nga IKD, ka shkruar në lidhje me përbërjen e KQZ-së dhe anëtarin e 10-të të saj i cili ka nxitur diskutime të shumta. Ai ka thënë se përbërja e KQZ-së nuk e reflekton proporcionalisht fuqinë politike dhe numrin e deputetëve në Kuvend, por vetëm numrin e grupeve parlamentare si të tilla. Cakolli ka…

Lajme

09/04/2026 15:06

Eugen Cakolli nga IKD, ka shkruar në lidhje me përbërjen e KQZ-së dhe anëtarin e 10-të të saj i cili ka nxitur diskutime të shumta.

Ai ka thënë se përbërja e KQZ-së nuk e reflekton proporcionalisht fuqinë politike dhe numrin e deputetëve në Kuvend, por vetëm numrin e grupeve parlamentare si të tilla.

Cakolli ka marrë edhe një shembull.

“Për ilustrim, në një situatë hipotetike, edhe nëse një subjekt do t’i fitonte 75% në zgjedhje, e pesë subjekte tjera nga 5%, prapë se prapë, të gjitha gjashtë grupet do të kishin vetëm nga një anëtar. E nëse ky model zbatohet për përbërjen bazë, nuk ka asnjë sens që për anëtarët “shtesë” të aplikohet një formulë tjetër për emërim”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka thënë se sot mbyllet afati ligjor prej 60 ditësh për fillimin e mandatit të anëtarëve të rinj të KQZ-së.

“Megjithatë, afati ligjor procedural për emërimin e anëtarëve veçse është shkelur prej më shumë se dy javësh – nga Presidentja Osmani. Ajo nuk ka ushtruar kompetencat e saj kushtetuese e ligjore, përkundër vendimmarrjes së shpejtë të Kushtetueses në lidhje me këtë situatë, e cila i kishte lënë Presidentes disa ditë kohë për emërim, para përfundimit të mandatit të saj”, ka shtuar Cakolli. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: