Cakolli: Një përfundim i turpshëm i një krize që u zvarrit me vetëdije, barra e këtij dështimi bie te VV-ja
Zyrtari i KDI-së, Eugen Cakolli, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur këtë situatë një përfundim të turpshëm të një krize të zvarritur me vetëdije. Në një postim në Facebook, Cakolli tha se Kuvendi nuk arriti të konstituohet as në përpjekjen e 54-të, duke mos përmbushur as…

Lajme
Zyrtari i KDI-së, Eugen Cakolli, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur këtë situatë një përfundim të turpshëm të një krize të zvarritur me vetëdije.
Në një postim në Facebook, Cakolli tha se Kuvendi nuk arriti të konstituohet as në përpjekjen e 54-të, duke mos përmbushur as afatin kushtetues prej 30 ditësh. Sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi subjektin politik që ka dalë i pari në zgjedhje dhe që kishte të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, por që, siç thekson ai, nuk pati vullnet për konsensus dhe për ta çuar procesin përpara, transmeton lajmi.net
Cakolli shton se vendi po hyn në një fazë të re të krizës, me një Kuvend jofunksional e jolegjitim dhe një qeveri në detyrë të cilës, sipas tij, i mungon autoriteti ligjor për vendimmarrje.
“Qytetarët nuk e kanë merituar një shtet në pauzë për shkak të llogarive të ngushta partiake,” shkruan ai.
Postimi i plotë i Cakollit:
“Një përfundim i turpshëm i një krize që u zvarrit me vetëdije. Kuvendi nuk u konstitua as në përpjekjen e 54-të, duke dështuar kësisoj në përmbushjen e obligimit kushtetues për t’u konstituar brenda 30 ditëve.
Barra kryesore e përgjegjësisë politike së gjithë këtij dështimi bie qartazi mbi subjektin politik që ka dalë i pari në zgjedhje dhe që kishte të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi. Por e drejta nuk mjafton kur mungon vullneti për konsensus dhe për ta çuar procesin përpara.
Nga sot, nuk do të kemi më seanca me improvizime e arbitraritet, si në sagën e mbi 100 ditëve të kaluara – një periudhë që, mbi të gjitha, shpërfaqi mungesën e përgjegjësisë politike dhe refuzimin e kompromisit si vlerë demokratike.
Tashmë jemi në një situatë të paprecedentë, me një Kuvend jofunksional e jolegjitim dhe me një qeveri në detyrë, të zgjedhur nga legjislatura e parafundit – anëtarët e së cilës nuk kanë as autoritet ligjor për vendimmarrje.
Qytetarët nuk e kanë merituar një shtet në pauzë për shkak të llogarive të ngushta partiake.”/Lajmi.net/