Cakolli; Kushtetuesja nuk i ka dhënë ‘veto’ shtesë komuniteteve, e rikonfirmoi që Kuvendi konstituohet kur janë zgjedhur kryetari dhe të gjithë nënkryetarët

Eugen Cakolli nga IKD, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka thënë sot se brenda 12 ditëve duhet të konstituohet Kuvendi, dhe se ai nuk është i konstituuar deri sa të zgjidhet edhe nënkryetari serbë. Në lidhje me këtë vendim, Cakolli ka thënë se Kushtetuesja nuk i ka dhënë komuniteteve asnjë ‘veto’ shtesë,…

Lajme

30/09/2025 19:47

Eugen Cakolli nga IKD, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka thënë sot se brenda 12 ditëve duhet të konstituohet Kuvendi, dhe se ai nuk është i konstituuar deri sa të zgjidhet edhe nënkryetari serbë.

Në lidhje me këtë vendim, Cakolli ka thënë se Kushtetuesja nuk i ka dhënë komuniteteve asnjë ‘veto’ shtesë, por e rikonfirmoi standardin kushtetues, që Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe të gjithë nënkryetarët.

Sipas Cakollit, kjo nuk nënkupton të drejtë të dikujt për bllokadë, por që sipas tij, Gjykata në këtë vendim ua ka rikujtuar përgjegjësinë të gjitha palëve, përfshirë deputetët nga komuniteti serb, që të veprojnë në interes të Republikës. Siç ka thënë Cakolli, e drejta për të propozuar nuk mund të jetë mjet bllokimi apo shantazhi.

“Në të njëjtën logjikë, edhe nëse nuk do të votohej si nënkryetar ndonjë prej kandidatëve nga partitë shqiptare, Kuvendi do të konsiderohej sërish i pakonstituuar. Prandaj, nuk kemi të bëjmë me “privilegje të serbëve”, por me një standard që vlen për të gjithë – dhe që ka funksionuar pa probleme që nga pavarësia e këndej. Ajo çfarë po ndodh tani është sajesë e qartë për të zvarritur formimin e institucioneve. Ironia është se e gjithë kjo situatë, bashkë me diskursin e pritshëm kundër Gjykatës Kushtetuese, po vjen nga të njëjtët që ia mundësuan Listës Serbe rastin dhe “fitoren” në Gjykatë – me kalkulimet dhe arrogancën e tyre politike”, ka shkruar Cakolli në Facebook. /Lajmi.net/ 

Postimi i tij i plotë në Facebook: