Cakolli kritikon KQZ-në për mungesë mbledhjesh pas zgjedhjeve, kërkon më shumë transparencë

Eugen Cakolli nga KDI e ka kritikuar KQZ-në për mungesë të mbledhjeve prej 28 dhjetorit. Ndonëse ka vlerësuar së në zgjedhjet e 28 dhjetorit KQZ-ja ka pasur një performacë të mirë, ai ka thënë se mungesa e mbledhjeve për më shumë se 10 ditë është e paarsyeshme. Në profilin e tij në “Facebook”, Cakolli ka…

Lajme

08/01/2026 15:46

Eugen Cakolli nga KDI e ka kritikuar KQZ-në për mungesë të mbledhjeve prej 28 dhjetorit.

Ndonëse ka vlerësuar së në zgjedhjet e 28 dhjetorit KQZ-ja ka pasur një performacë të mirë, ai ka thënë se mungesa e mbledhjeve për më shumë se 10 ditë është e paarsyeshme.

Në profilin e tij në “Facebook”, Cakolli ka shkruar se puna e KQZ-së duhet të jetë transparente.

“Pa dyshim, në këto zgjedhje KQZ-ja ka pasur një nga performancat më të mira ndonjëherë, sa i përket rezultateve zgjedhore. Platforma elektronike ka funksionuar pa probleme, përditësimet kanë qenë të shpeshta, ndërsa të dhënat – nga rezultatet e detajuara për secilën kategori, te ndarja e mandateve e plot elemente të tjera – kanë qenë realisht në një nivel të ri”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

“Megjithatë, ajo që bie në sy është mungesa e mbledhjeve të KQZ-së, që pas ditës së zgjedhjeve. Prej më shumë se 10 ditësh nuk është mbajtur asnjë mbledhje formale ku do të duhej të kishte raportime dhe diskutime më të detajuara mbi aspektet teknike dhe operacionale të procesit zgjedhor, sidomos mbarëvajtjen e kësaj faze. Pra, puna teknike ka qenë tejet pozitive. Tani, ajo do të duhej të plotësohet edhe me më shumë transparencë dhe llogaridhënie institucionale”, ka shkruar ai.